
Ish-ministri i Jashtëm i Perusë, Manuel Augusto Blacker Miller, i cili rezultonte të ishte i dënuar në Shqipëri për një aferë inceneratorësh, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare në Spitalin Penal Hamilton Agostinho, më 23 janar 2026.
Miller ishte i paraburgosur në Brazil pasi ishte arrestuar në dhjetor duke qenë se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrimin financiar të kryer në Shqipëri. Ekipi ligjor i ish-ministrit kishte raportuar vazhdimisht gjendjen e tij delikate shëndetësore, duke deklaruar se ai vuante nga një trombozë serioze dhe kërkuan revokimin e arrestit të tij në mënyrë që të mund të merrte kujdes mjekësor në shtëpi . Ata e paraqitën kërkesën tri herë dhe këmbëngulën që Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të vendoste për këtë çështje, pa marrë një përgjigje të favorshme.
Fillimisht Miller u dënua nga Gjykata e Tiranës në maj 2017, vendim i konfirmuar nga Apeli në nëntor 2018 dhe më pas nga Gjykata e Lartë në nëntor 2023, duke e bërë vendimin përfundimtar. Çështja lidhet me marrëveshje biznesi të viteve 2012 - 2013, kur Blecker Miller regjistroi në Shqipëri kompaninë “Apollon Investment” dhe u premtoi dy biznesmenëve shqiptarë, Iljaz Fisheku dhe Arben Shuaipi, investime të mëdha në projekte përpunimi mbetjesh dhe tregtimi hidrokarburesh. Hetimet provuan se ai mori mbi 170 mijë euro prej tyre, pa realizuar investimet e premtuara. Pas denoncimit penal të bërë në vitin 2014 nga dy biznesmenët, hetimet çuan në dënimin me 8 vite burg të ish-ministrit peruan. Versus.al

