AKTUALITET /

I latë në baltë!

Shkruar nga Versus

I latë në baltë!

Një pjesë e madhe e qyteteve të Shqipërisë ndodhen nën ujë që prej mëngjesit të 6 janarit, pas reshjeve të dendura që nisën mbrëmjen e së hënës dhe zgjatën për disa orë. Nga veriu në jug, mijëra qytetarë kanë përjetuar vështirësi të mëdha qoftë për faktin se qindra banesa e biznese janë përmbytur, rrugët janë bllokuar dhe jeta duket si e mbetur ‘pezull’.

Edhe dita e sotme nuk rezervoi një fat më të mirë për banorët të cilët duket se tashmë të gjitha shpresat i kanë vetëm tek ndërprerja e reshjeve pasi në terren ndihen krejt të braktisur.

Durrësi numëron mbi 800 banesa të përmbytura, banorë të lodhur nga kjo situatë e përsëritur sa herë që bie shi. 180 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për tek Kavalishenca ku duket të jetë ‘shpëtimi i përkohshëm’ për ta para se të merren me kalvarin e dëmeve të shkaktuara në banesa e biznese.

Në Lezhë e Kurbin, mijëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë dhe 8 familje janë evakuuar. Në Kukës disa akse rrugore janë bllokuar nga rrëshqitja e dherave. 

Ndërsa në Gjirokastër, një qytet i vendosur mbi kodër, reshjet e shiut për pak sa nuk shkaktuan edhe tragjedi në njerëz, po të mos ishte për ndërhyrjen e disa zjarrfikësve që i shpëtuan jetën një të riu. Mënyra e përmbytjes së qytetit të bën të dyshosh se nuk kemi thjesht të bëjmë me një fatkeqësi natyrore si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Mbase hetimet duhet të vijojnë jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në qytete të tjera të vendit për të përcaktuar shkakun e përmbytjeve dhe sesi ngjarje të tilla të parandalohen ose të paktën të përballohen dhe jo thjesht të shpresojmë tek ndonjë mrekulli në qiell.

Pirro Dhima, deputeti socialist i Gjirokastrës, jo vetëm që nuk qetësoi qytetarët apo nuk dha ndonjë ide për zgjidhjen e situatës, por u bëri thirrje qytetarëve të mos dilnin nga shtëpitë, a thua se këto të fundit janë të sigurta kur niveli i ujit vetëm sa shtohej. 

Megjithë këto probleme, qytetarët duket se tashmë e kanë pranuar se asgjë nuk do të vijë t’i shpëtojë në raste të tilla, e aq më pak shteti shqiptar që deri më tani duket totalisht inekzistent para një situate kritike.

Pavarësisht se Durrësi është ende nën ujë, nuk ka patur asnjë lloj dalje apo inspektim të kryebashkiakes Emirjana Sako përveçse disa foto të publikuara prej saj në rrjete sociale sa për sy e faqe, ndërkohë që qytetarët i komentojnë se realiteti është krejt ndryshe nga interneti.

I latë në baltë!

Politika shqiptare nuk zhgënjeu sërish në “artin e të bërit asgjë” para katastrofave të tilla. Teksa qytetarët marrin gomone e skafe për të lëvizur nëpër rrugë ku duhet të qarkullojnë makinat, shteti duket se është dorëzuar totalisht dhe vetëm bën rolin e raportuesit. Nuk ka patur as deputetë të mazhorancës dhe as të opozitës që të dalin në terren për t'u qëndruar pranë qytetarëve. 

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari nxitoi për të shkuar me çizme në burgun e përmbytur të Durrësit ku ndodhen Erion Veliaj e Ilir Beqaj, kolegu tjetër i tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu del herë pas here si për të justifikuar pafuqinë e shtetit në raste të tilla. 

Vetë kryeministri Edi Rama në reagimin e tij në rrjetet sociale teksa ndodhet në Paris, përqendrohet më së shumti tek ironizimi i opozitës sesa tek ofrimi i ndonjë zgjidhje. “Çudi si nuk më fajësuan mua edhe për reshjet në Greqi e Itali”- shkruan ai mes të tjerash, ndërsa qytetarët vijojnë të shtrëngojnë dhëmbët e përgatiten për ta përballuar vetëm edhe një tjetër përmbytje.

Nga ana tjetër, opozita gjithashtu duket krejt e vakët duke mos ofruar asnjë lloj zgjidhje për situatën përveçse ‘memeve tallëse’ nëpër rrjetet sociale. Kryedemokrati Sali Berisha duket i fokusuar tek data "e mbetur në tentativë" për protestë kombëtare, ndërkohë që qytetarët po kalojnë orë të vështira dhe presin me sytë nga qielli. 

Teksa politika bën ‘sehir’ me statuse nëpër rrjete sociale, qytetarët në terren vuajnë realitetin e hidhur sa herë që bie shi, të vetëm përballë fatkeqësive të cilat duhet të ishin përballuar me plan konkret, kanalizime e projekte urbanistike të mirëfillta. Këto të fundit ose kanë munguar ose nuk janë zbatuar dhe në secilin rast, përgjegjësit që lanë qytetarët në baltë, nuk duhet t’ja hedhin me kaq. Versus.al

Poll