AKTUALITET /

Jurgis Çyrbja kërkoi lirimin nga qelia, GJKKO merr vendimin për ish-deputetin e PS

Pak ditë më parë, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për Çyrbjan dhe ia kaloi dosjen e tij Gjykatës së Posaçme.

Shkruar nga Versus
Jurgis Çyrbja kërkoi lirimin nga qelia, GJKKO merr vendimin për
Jurgis Çyrbja duke dalë nga SPAK pasi u mor në pyetje, tetor 2024

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish-deputeti i PS, Jurgi Çyrbja mbi ndryshimin e masës së sigurisë "arrest me burg".

Ka qenë gjyqtarja e posaçme Etleva Deda ajo që ka marrë vendimin pak ditë pasi SPAK përfundoi hetimet për ish-deputetin socialist i cili u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar dhe akuzohet për vepra të rënda penale.

Çyrbja akuzohet për vepra të rënda penale si rrjedhja e informacionit sekret gjatë kohës që ka qenë anëtar i komisionit të Sigurisë dhe për korrupsion në zgjedhje e përkrahje e Altin Hajrit gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim nga policia për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në 2020-ën.

Në dosjen e zbardhur nga Versus.al muaj më parë, zbulohej sesi Hajri kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me Çyrbjan duke i kërkuar këtij të fundit të ndërhynte edhe në polici. Ish-deputeti dyshohet se informonte Lulzim Mashën për rastet kur RENEA kryente kontrolle në zona të caktuara duke sinjalizuar kriminelët që të largoheshin. 

Dosja hetimore zbulon gjithashtu se Hajri dhe lidhjet e tij kriminale kanë ndërhyrë për të bërë të mundur futjen e emrit të Çyrbjes në listat e kandidatëve për deputet të PS në 2021-in dhe më pas zgjedhjen e tij me mijëra vota. Për futjen e Çyrbjes në listën e kandidatëve, deri tani SPAK ka marrë në pyetje ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dakon, por deri më tani nuk ka asnjë detaj lidhur me këtë pjesë. Versus.al

Poll