
Një 38-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Fierit, në lidhje me një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2023, ku humbi jetën një 41-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e Agim “Agli” Gashi, ndërsa Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
38-vjeçari dyshohet se, në bashkëpunim me vëllain e tij Kreshnik Gashi, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim, më 7 dhjetor 2023, në lagjen “16 Prilli” në Fier, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar në drejtim të një automjeti që drejtohej nga Erjon Javori.
Si pasojë e plagëve të marra, Javori humbi jetën në vendngjarje.
Ndaj të ndaluarit rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shkak i ngjarjes dyshohet se ka qenë një krushqi e prishur mes dy fiseve që solli përplasje të herëpashershme mes familjeve. Përplasje këto që kulmuan me ngjarjen e rëndë të ndodhur ku mbeti i vrarë Javori./Versus.al

