Një shtetas shqiptar i kërkuar nga drejtësia shqiptare për trafik ndërkombëtar armësh, do ta ndjekë procesin e ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar në gjendje të lirë me kusht.
Alban Gjidiaj, 28 vjeç, u arrestua më 30 janar 2025 në Londër, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga SPAK dhe të miratuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Ai akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe.
Sipas dokumenteve të para të gjykatës, Gjidiaj është liruar me kusht nga Westminster Magistrates’ Court, pasi pagoi garanci financiare prej 5,000 stërlinash. Si pjesë e masave të mbikëqyrjes, ndaj tij është vendosur një pajisje elektronike gjurmimi (tag), detyrim për paraqitje çdo të shtunë në stacionin policor të Colindale, si dhe ndalim i ndërrimit të adresës së banimit, e cila aktualisht është në Cockfosters Road, Barnet, në veri të Londrës.
Gjykata britanike do të shqyrtojë kërkesën për ekstradim më 4 dhe 5 dhjetor 2025.
Operacioni “Inkorporimi” dhe prangat në Shqipëri e Kolumbi
Emri i Alban Gjidiaj del në dritë si pjesë e një hetimi të gjerë të ndërmarrë nga SPAK dhe BKH, që kulmoi në gusht 2024 me operacionin e koduar “Inkorporimi”. Gjatë këtij operacioni, në bashkëpunim me skuadrat operacionale, u arrestuan në Tiranë tre shtetas: Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj.
Autoritetet sekuestruan një arsenal armësh, të cilat trafikoheshin të fshehura në mobilie dhe transportoheshin me furgonë drejt Anglisë. Sasia e sekuestruar përfshinte:
25 armë zjarri
qindra fishekë
lazera për qitje në distancë
pajisje optike ushtarake
Sipas burimeve nga hetimi, janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë – njëri në Kolumbi, tjetri në Londër dhe një i tretë ende në arrati.
Ndërkohë, autoritetet kolumbiane kanë arrestuar për qëllim ekstradimi në Shqipëri Almir Gjidiaj, vëllai i Alban Gjidiajt, i cili gjithashtu akuzohet si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe lidhjeve të këtij grupi në disa shtete. /Versus.al







