
Analisti i njohur Lutfi Dervishi ka reaguar me një postim prekës pas tragjedisë që ndodhi në liqenin e Shkodrës, ku 51-vjeçari Arben Alamani, kapiten i një anije turistike, humbi jetën pasi shpëtoi dy turistë nga mbytja.
Dervishi e nis reagimin e tij me vargjet simbolike “Oh Captain! My Captain!” duke vlerësuar aktin heroik të Alamanit, i cili nuk hezitoi të hidhej në ujë për të shpëtuar jetën e të tjerëve, por fatkeqësisht nuk arriti të shpëtonte veten.
“Kapiteni që duhej të sillte anijen në mol, u ankorua përjetë jo vetëm në kujtimet e turistëve që shpëtoi,” shkruan Dervishi.
Ai thekson se edhe pse Arben Alamani nuk mban ndonjë titull zyrtar nderi, veprimi i tij është ai që vërtet nderon kombin.
“Kapiten, ti nuk e ke titullin ‘Nderi i Kombit’. Por kombi nderohet kur ka njerëz si ti,” përfundon Dervishi mesazhin e tij emocional.
Ngjarja tragjike ka prekur mbarë opinionin publik.
Arben Alamani u përpoq të shpëtonte dy turistë që ranë në ujë gjatë një guide, të cilët fatmirësisht mbijetuan falë ndërhyrjes së tij.
Por kapiteni u mbyt, duke lënë pas dhimbje të thellë, por edhe një shembull të jashtëzakonshëm humanizmi dhe guximi.
Postimi i plotë i analistit Lutfi Dervishit:
Oh Captain! My Captain!
Lamtumirë, Kapiten!
Arben Alamani, 51 vjeç, kapiten i një anije turistike në liqenin e Shkodrës, u hodh sot në ujë për të shpëtuar dy turistë të huaj nga mbytja. Ia doli. I nxori të gjallë nga kthetrat e vdekjes.
Por vetë… nuk ia doli dot.
Kapiteni nuk hezitoi asnjë sekondë për të ndihmuar pasagjerët e tij, por nuk arriti të ndihmojë veten.
Kapiteni që duhej të sillte anijen në mol, u ankorua përjetë jo vetëm në kujtimet e turistëve që shpëtoi.
Kapiten,
Ti nuk e ke titullin "Nderi i Kombit".
Por kombi nderohet kur ka njerëz si ti.
U preh'sh i qetë Kapiten!/Versus.al







