
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e ka cilësuar ratifikimin nga Kuvendi të Marrëveshjes së Huasë direkte mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një zhvillim historik për vendin.
Përmes një reagimi, Nufi u shpreh se kjo marrëveshje përbën një dëshmi konkrete të mbështetjes strategjike amerikane ndaj Shqipërisë dhe është akti më domethënës në terma financiarë e konkretë që prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1990 dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Sipas ministrit, marrëveshja nuk është thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik që synon forcimin e sigurisë kombëtare dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
Nufi theksoi se mbështetja do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë, në kuadër të angazhimeve të saj në NATO, si dhe në thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri e vlerësoi këtë zhvillim si një moment me rëndësi të veçantë për sigurinë, mbrojtjen dhe rolin e Shqipërisë si aleat i përkushtuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut./Versus.al

