
Reshjet me intensitet të lartë që kanë përfshirë qarkun e Kukësit kanë sjellë probleme në infrastrukturën rrugore, veçanërisht në Bashkinë Has.
Sipas verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile e Bashkisë Has, si pasojë e vërshimit të ujërave janë dëmtuar rreth 80% e segmenteve rrugore në Njësinë Administrative Golaj.
Dëmtime janë konstatuar në rrugët e fshatrave Golaj, Nikoliq, Kosturr dhe Helshan, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar gërryerje dhe dëmtime të infrastrukturës
Situata ka sjellë probleme edhe në një banesë në zonë, e cila është dëmtuar si pasojë e reshjeve.
Drejtoresha e Mbrojtjes Civile në Bashkinë Has, Arbërie Rada, tha se problematikat janë evidentuar që në orët e para të mëngjesit, ndërsa ekipet janë në terren për monitorimin e situatës.
“Që në orët e para të mëngjesit jemi hasur me problematika. 80% e rrugëve janë të dëmtuara. Një banesë është dëmtuar nga reshjet. Situata erdhi nga vërshimi i ujërave. Zona e Hasit aktualisht mbulohet me energji”, u shpreh Rada.
Ajo u bëri thirrje banorëve që për çdo problem të kontaktojnë Emergjencat Civile, duke garantuar mbështetjen e strukturave vendore.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa pritet ndërhyrja për riparimin e segmenteve rrugore të dëmtuara nga reshjet./Versus.al

