AKTUALITET /

Mbante të mbyllur në shtëpi ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët, 53-vjeçari shqiptar në Itali e pëson keq

Vetëm një orë më vonë, policia ndaloi një automjet që drejtohej nga 53-vjeçari. Në makinë ndodheshin ish-bashkëshortja dhe dy fëmijët, në gjendje të dukshme shqetësimi. Sapo panë forcat e rendit, gruaja dhe një prej fëmijëve kërkuan ndihmë, duke konfirmuar dyshimet e para.

Shkruar nga Versus

Mbante të mbyllur në shtëpi ish-bashkëshorten dhe dy

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin italian të Gubbios, ku një 53-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga karabinierët gjatë natës së kaluar, pasi akuzohet se mbante të mbyllur në banesën e tij ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, 7 dhe 11 vjeç, duke ushtruar mbi ta dhunë fizike dhe psikologjike.

Operacioni u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë e Peruxhias dhe nisi pas një sinjalizimi nga autoritetet shqiptare, të cilat përmes kanaleve konsullore kishin informuar se një shtetas shqiptar po i mbante me forcë ish-gruan dhe fëmijët në Itali.

Pas marrjes së informacionit, Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë në Romë ndërmori menjëherë masat. Karabinierët e Gubbios organizuan një plan kërkimi me patrullime intensive dhe përdorim të pajisjeve teknike për lokalizimin e autorit dhe viktimave.

Vetëm një orë më vonë, policia ndaloi një automjet që drejtohej nga 53-vjeçari. Në makinë ndodheshin ish-bashkëshortja dhe dy fëmijët, në gjendje të dukshme shqetësimi. Sapo panë forcat e rendit, gruaja dhe një prej fëmijëve kërkuan ndihmë, duke konfirmuar dyshimet e para.

Sipas hetimeve, burri e kishte mashtruar ish-bashkëshorten që të udhëtonte drejt Italisë më 30 korrik së bashku me fëmijët, me premtimin për të kaluar pushimet. Pas mbërritjes, ai ua kishte marrë pasaportat dhe telefonat celularë për t’i penguar të largoheshin. Gjatë gjithë qëndrimit të detyruar, ai kishte ushtruar dhunë fizike dhe presion psikologjik ndaj tyre.

Karabinierët vendosën menjëherë nën mbrojtje nënën dhe fëmijët, duke i strehuar në një strukturë të sigurt. Ndërkohë, 53-vjeçari është arrestuar dhe është dërguar në burgun e Peruxhias, nën akuzat për privim të paligjshëm të lirisë, dhunë në familje dhe mbajtje të paligjshme të një arme të ftohtë (thikë). /Versus.al/

Tags:

gubbio

Poll