Tiranë- Një 41 vjeçar turk i identifikuar si Ferat Karakus është arrestuar nga policia nën akuzën e mashtrimit kompjuterik dhe përfitimit të 1 milionë eurove nëpërmjet transaksioneve të paligjshme.
Karakus akuzohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë, duke përdorur 'poset' e biznesit të tij, kishte kryer transaksione të paligjshme me kartën e kreditit të një personi tjetër i cili në momentin e kryerjes së transaksionit, nuk ndodhej në Shqipëri.
Turku kishte hapur një tezgë fruta-perimesh të cilën e kishte regjistruar si biznes dhe nëpërmjet tij ka kryer transaksionin prej 1 mln eurosh duke përdorur kartën e kreditit të regjistruar në Belgjikë.
Ka qenë kompania “MasterCard” që ka denoncuar transaksionet që i ka raportuar si veprime mashtrimi. Lidhur me këtë ngjarje është ngritur një grup hetimor dhe po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që dyshohen si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Versus.al








