AKTUALITET /

Mentor Çuku emërohet Zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit

Pas një procesi konkurrues dhe transparent, Mentor Çuku është emëruar Zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit, me mandat 4-vjeçar dhe të drejtë një rizgjedhjeje, duke sjellë përvojë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shkruar nga Versus
Mentor Çuku emërohet Zëvendësdrejtor i Byrosë
Mentor Çuku

Në përfundim të një procesi konkurrues dhe transparent për përzgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtori i BKH-së ka vendosur të emërojë Mentor Çukun në këtë detyrë.

Emërimi është bërë në zbatim të pikës 3 të nenit 36 të Ligjit nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, sipas të cilit Zëvendësdrejtori emërohet nga Drejtori i BKH-së me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas zhvillimit të një procesi të hapur dhe transparent. Mandati i Zëvendësdrejtorit është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë, të gjithë me përvojë dhe kualifikime të larta në fushën e hetimit dhe aftësi drejtuese.

Procesi i përzgjedhjes u karakterizua nga konkurrencë e fortë dhe vlerësim i kujdesshëm i kandidatëve.

Mentor Çuku është hetues me përvojë të gjatë në Byrën Kombëtare të Hetimit, i specializuar në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. /Versus.al

 

Poll