AKTUALITET /

Raporti i SPAK 2025: Sekuestrohen 45.4 milionë euro pasuri,kriptomonedha dhe zyrtarë të lartë nën sitë!

Raporti vjetor i SPAK për vitin 2025 tregon një rritje të goditjeve ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, me pasuri të sekuestruara që arrijnë në 45.4 milionë euro. Megjithatë, institucioni thekson edhe sfida të rëndësishme si mungesa e stafit të specializuar, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe vështirësitë në proceset e ekstradimit.

Shkruar nga Versus

Raporti i SPAK 2025: Sekuestrohen 45.4 milionë euro pasuri,kriptomonedha

Raporti vjetor i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025, tregon një rritje të ndjeshme të rezultateve në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë shënuar rezultate rekord, duke përfshirë hetime ndaj figurave të rëndësishme politike dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë miliona euro.

Një nga treguesit më domethënës është vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara, e cila arrin në 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.5 milionë euro janë pasuri të sekuestruara që presin vendimet përfundimtare të gjykatës.

Në raport theksohen edhe një sërë sfidash me të cilat përballet SPAK në ushtrimin e detyrës.

Mes tyre përmenden vështirësitë në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, si dhe ndikimi i retorikës politike dhe mediatike në perceptimin publik ndaj institucionit.

SPAK ngre shqetësimin edhe për mungesën e një përcaktimi të qartë ligjor për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit, çka sipas institucionit mund të ndikojë në vijimësinë e hetimeve dhe në standardet profesionale.

Po ashtu, raporti evidenton mungesën e këshilltarëve ligjorë me përvojë, që sipas SPAK krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe në përfaqësimin e çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Një tjetër çështje e rëndësishme është bashkëpunimi me institucionet publike, i cili sipas raportit ka shënuar përmirësime, por duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe më efikase.

SPAK thekson gjithashtu nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, ngritjen e një njësie të specializuar analize për hetimet komplekse dhe sqarimin e statusit të specialistit ndërlidhës.

Raporti nënvizon edhe sfidat në bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja dhe procesin e ekstradimit të shtetasve shqiptarë. Megjithëse është përmirësuar bashkëpunimi me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, SPAK thekson se nevojiten më shumë marrëveshje dypalëshe për të garantuar zbatimin e vendimeve penale jashtë vendit.

Raporti i plotë:

1. Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë 

Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.

2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 

Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK 

Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

4. Bashkëpunimi me institucionet publike 

Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase. 5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) - Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.

6. Njësia e analizës 

Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.

7. Specialisti Ndërlidhës

Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.

8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja 

Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme 

Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.

10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë

 Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit./Versus.al

Tags:

spak

Poll