AKTUALITET /

Miratimi i ligjit për energjinë elektrike, Karakaçi: Një hap drejt procesit të integrimit të Shqipërisë në BE

Karakaçi tha se me përmbylljen e kësaj pakete ligjore, Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, renditet ndër vendet e rajonit që kanë përmbushur të gjitha dispozitat ligjore të sektorit energjetik, duke e vendosur vendin në një pozicion të avancuar në procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Shkruar nga Versus

Miratimi i ligjit për energjinë elektrike, Karakaçi: Një

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e ka cilësuar miratimin e ligjit të ri për energjinë elektrike, si një hap përpara drejt integrimit të Shqipërisë në BE.

Në fjalën e tij gjatë Ministerialit të Komunitetit të Energjisë, që u zhvillua në Prishtinë, Karakaçi tha se me përmbylljen e kësaj pakete ligjore, Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, renditet ndër vendet e rajonit që kanë përmbushur të gjitha dispozitat ligjore të sektorit energjetik, duke e vendosur vendin në një pozicion të avancuar në procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ministri informoi se mbi 10% e energjisë elektrike në Shqipëri prodhohet nga energjia diellore.

“Sigurisht ndava me kolegët ministra faktin që tashmë në Shqipëri mbi 10% e energjisë vjen nga energjia diellore dhe gjatë kësaj periudhe të verës ne kemi parë dhe ditë që nuk kemi pasur në punë kaskadën e Drinit, pra të treja veprat energjetike të menaxhuara nga shoqëria KESH, pikërisht për shkak të volumit të lartë të energjisë diellore që prodhohet në Shqipëri. Ne nuk do ndalemi këtu. Përveç 650 mega kapacitete energji diellore të cilat tashmë janë të ndërtuara, kemi shumë kapacitete të tjera, si nga energjia diellore, ashtu edhe nga energjia e erës, që janë në proces për t’u vlerësuar dhe shqyrtuar”, u shpreh Karakaçi.

Në fjalën e tij, ministri kërkoi që Bashkimi Evropian të përshpejtojë mekanizmat financiarë për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar nevojën për investime më të shpejta në interkonjeksionet energjetike për të rritur integrimin e energjisë së rinovueshme në sistem.

Karakaçi vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit energjetik rajonal, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e sigurisë energjetike në rajon dhe në Evropën Juglindore.Versus.al

 

Poll