
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot Amnistinë Penale. Këtë e bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari i cili tha se falë këtij vendimi pushohet ndjekja penale për mbi 14 mijë procedime për vepra të lehta.
Ndërsa në total 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu. 853 të dënuar përfitojnë ulje dënimi. Sipas tij tij, kjo nuk është tolerancë ndaj krimit, por përpjekje për të riintegruar këta persona në shoqëri.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta. Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari.
Tashmë projektvendimi për aministinë penale do të depozitohet në Kuvend ku do të votohet nga deputetët. Versus.al

