Rreth dy vite pas përfundimit të hetimeve nga SPAK për mjekun Edvin Prifti, Gjykata e Posaçme vendosi këtë të mërkurë të kalojë çështjen në proces gjyqsor.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Priftit akuzat, “korrupsion pasiv kryer në 7 raste”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “pastrim parash” dhe “fshehje të ardhurash”.
Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Sotir Kllapi, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se Edvin Prifti në 7 raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në kohën kur agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën dhe zyrën e Priftit, gjetën fizikisht 1.1 milionë euro shumë të cilën, SPAK thotë se mjeku nuk e justifikonte në mënyrë të ligjshme.
Nga ana tjetër, që prej vitit 2018 e në vijim, organi i akuzës dyshon se i pandehuri ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore, fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore. Versus.al

