AKTUALITET /

Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikush të porosisë 140 gramë kanabis te berberi”, historia e 21-vjeçarit shqiptar çudit gjykatësin belg

Sipas akuzës, në telefonin celular të shqiptarit u zbuluan mesazhe me adresa dorëzimi, si edhe foto e video me lëndë narkotike dhe shuma parash

Shkruar nga Versus

Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikush të porosisë

Një 21-vjeçar shqiptar është rikthyer në bankën e të akuzuarve në Belgjikë, pasi kërkoi rigjykimin e çështjes në të cilën ishte dënuar në mungesë me 15 muaj burg për trafik droge. Seanca u shoqërua me një debat të pazakontë, ndërsa shpjegimet e të riut nxitën reagimin ironik të gjykatësit.

Sipas prokurorisë, Arlind K. u ndalua nga policia më 3 gusht 2024 gjatë një kontrolli rutinë për një shkelje të rregullave të qarkullimit. Nervozizmi i tij dhe i pasagjerit ngriti dyshime te efektivët, të cilët kontrolluan automjetin dhe gjetën të fshehura poshtë sediljes së shoferit tre qese me rreth 140 gramë kanabis, si edhe hashash.

Hetimet nuk u ndalën vetëm te droga e sekuestruar. Sipas akuzës, në telefonin celular të shqiptarit u zbuluan mesazhe me adresa dorëzimi, si edhe foto e video me lëndë narkotike dhe shuma parash, prova që prokuroria i konsideron tregues se ai vepronte si korrier për një rrjet të shpërndarjes së drogës.

Megjithatë, 21-vjeçari i mohoi akuzat. Ai deklaroi se nuk kishte dijeni për drogën e gjetur në makinë dhe se kishte pranuar vetëm t'i bënte një favor personit që ndodhej me të.

Edhe avokatja mbrojtëse këmbënguli se klienti i saj nuk ishte pjesë e ndonjë organizate kriminale. Sipas saj, i riu punon si berber në Antverp dhe ishte njohur rastësisht me një person që i kishte kërkuar një shërbim, ndërsa më pas i kishte kërkuar edhe të drejtonte automjetin, pasi vetë kishte konsumuar kanabis.

Gjatë seancës, gjykatësi vuri në dyshim këtë version, sidomos pas provave të paraqitura nga prokuroria. Kur shqiptari deklaroi se telefoni me mesazhet nuk ishte i tij dhe se ai ushtronte profesionin e berberit, kryetari i trupit gjykues reagoi me ironi.

"Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikush të porosisë 140 gramë kanabis te berberi," u shpreh ai, duke shkaktuar reagime në sallën e gjyqit.

Pas kundërshtimit të dënimit të dhënë në mungesë, çështja do të shqyrtohet sërish nga gjykata belge, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 14 korrik./Versus.al

Poll