
Gjykata e Elbasanit ka dhënë vendimin përfundimtar për Damiano Toshin, duke e dënuar atë përfundimisht me 25 vite burgim.
Ulja e dënimit erdhi pasi u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, çka i hoqi dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë më herët.
Damiano Toshi është një nga emrat e njohur të bandës së “Çobenjve” dhe ai u shpall fajtor për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si edhe për plagosjen e Julian Beckës.
Krimi ndodhi më 3 shtator 2004, pranë Pallatit të Sportit në Korçë, dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda kriminale të asaj periudhe.
Vendimi i Gjykatës së Elbasanit erdhi pas rigjykimit të çështjes, të urdhëruar nga Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit kishte prishur vendimin që e dënonte Toshin me burgim të përjetshëm dhe kishte kthyer dosjen për shqyrtim nga e para.
Prokuroria ka paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin, duke argumentuar se për akuzën e vrasjes nuk duhet të pranohej gjykimi i shkurtuar dhe, për rrjedhojë, nuk duhej të ulej dënimi.
Ndërkohë, autoritetet po kryejnë përllogaritjen e kohës që Damiano Toshi ka vuajtur në burg.
Nëse rezulton se ai e ka shlyer dënimin e ri prej 25 vitesh, pritet të lirohet nga burgu, duke i dhënë një kthesë të papritur një dosjeje që për më shumë se dy dekada ishte identifikuar me dënimin maksimal të drejtësisë shqiptare./Versus.al

