AKTUALITET /

PAMJET/ Si ndodhi aksidenti fatal ku humbën jetën 3 shqiptarë në Gjermani?

Autoritetet kanë përjashtuar deri më tani mundësinë që shoferi të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike

Shkruar nga Versus

 

PAMJET/ Si ndodhi aksidenti fatal ku humbën jetën 3 shqiptarë

Një aksident automobilistik me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele pranë qytetit Koblenz, në perëndim të Gjermanisë, duke shkaktuar vdekjen e tre shtetasve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Sipas raportimeve të para nga mediat gjermane dhe konfirmimeve nga autoritetet vendase, viktimat janë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Ata ishin duke udhëtuar së bashku me gjashtë persona të tjerë në një minibus, pasi kishin marrë pjesë në një festë familjare.

Minibusin e drejtonte një i ri 22-vjeçar, i cili sipas policisë lokale, humbi kontrollin mbi mjetin, duke bërë që ai të dalë nga rruga dhe të rrokulliset disa herë. Nga përplasja e rëndë, tre persona humbën jetën në vend, ndërsa të tjerët – të moshës nga 20 deri në 66 vjeç – kanë pësuar lëndime serioze, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kanë përjashtuar deri më tani mundësinë që shoferi të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike. Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa nuk raportohet për përfshirje të ndonjë mjeti tjetër.

Hetimet vazhdojnë

Policia gjermane është duke hetuar nëse shkak i aksidentit ka qenë lodhja, shpejtësia tej normave të lejuara apo një defekt teknik në automjet. Më shumë detaje priten të zbulohen pas përfundimit të hetimeve zyrtare dhe ekspertizës teknike. /Versus.al/

 

Poll