
Parlamenti Europian ka diskutuar sot në Strasburg raportet e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024, ku progresi më i madh për vendin tonë është në drejtësi, referuar këtu Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Komisionerja për Zhvillim e Bashkimit Europin, Marta Kos, ndër të tjera kërkon që reformaq në drejtësi të mos cënohet dhe se përparimi në fusha kyçe është jetike për Shqipërinë.
''Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, tha Marta Kos.
Gjithashtu Kos u shpreh se Shqipëria po përparon bindshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke shtuar se ka ende punë për tu bërë.
“Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten.
Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”, vijoi Kos.