Vetëm pak minuta reshje intensive mjaftuan që qyteti bregdetar i Vlorës të përfshihej nga përmbytjet, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit dhe probleme serioze për qytetarët, pushuesit dhe bizneset lokale.
Stuhia, që kaloi në jug të vendit pasditen e sotme, solli reshje të dendura shiu, të cilat përmbytën rrugë kryesore në qytet, si sheshi “Albano & Romina” dhe lagjja “Pavarësia”. Trafiku u paralizua përkohësisht, ndërsa shumë automjete mbetën të bllokuara për shkak të ujërave të shumta dhe kanalizimeve të bllokuara.
Situata krijoi kaos në disa akse rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe makinave, ndërkohë që edhe vijat bregdetare, të frekuentuara nga pushuesit, nuk mbetën pa u prekur.
Pas disa orësh, moti u përmirësua dhe uji ka nisur të tërhiqet, ndërsa autoritetet po punojnë për normalizimin e plotë të situatës. /Versus.al







