Elona Lalaj është emëruar Drejtoreshë e Përgjithshme e Policisë Bashkiake të Tiranës, duke zëvendësuar në këtë detyrë Toni Benin, i cili e kishte mbajtur pozicionin në mënyrë të komanduar. Emërimi i saj u bë publik gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar në ambientet e Policisë Bashkiake, ku ajo u prezantua para stafit nga kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani.

“Sot, në ambientet e Policisë Bashkiake të Tiranës, Kryetarja në detyrë e Bashkisë, znj. Anuela Ristani, pati nderin të prezantojë Drejtoreshën e re të Përgjithshme të Policisë Bashkiake, znj. Elona Lalaj. I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re dhe presim përmirësime të mëtejshme në shërbimet dhe dinamikën e punës në shërbim të qytetarëve,” thuhet në deklaratën zyrtare të institucionit.
Elona Lalaj sjell me vete një përvojë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, ku ka shërbyer ndër të tjera si zëdhënëse e Policisë së Qarkut Fier. Karriera e saj është vlerësuar për përkushtimin ndaj ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe për angazhimin për një shërbim cilësor ndaj qytetarëve.
Sipas burimeve mediatike, emërimi i Lalajt shihet si pjesë e një qasjeje më të gjerë të kryeministrit Edi Rama për të ristrukturuar dhe forcuar kontrollin mbi institucionet vendore në kryeqytet, përfshirë edhe Policinë Bashkiake. /Versus.al/








