Policia e Tiranës ka nisur hetimet për 9 prej protestuesve që qëndruan mbrëmjen e 20 qershorit në bulevard pas përfundimit të protestës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 22:00, personat e proceduar kanë vijuar qëndrimin në zonë, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.
Në njoftim thuhet se ata kanë tejkaluar orarin e njoftuar për zhvillimin e tubimit dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët, pas përfundimit të tubimit të zhvilluar më datë 20.06.2026, rreth orës 22:00, kanë vijuar qëndrimin në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike. Konkretisht, shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë përgjegjës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.

