
Skënder Hitaj u zgjodh drejtor i ri i Policisë së Shtetit duke zëvendësuar kështu Ilir Prodën i cili u shkarkua nga ish-ministrja Albana Koçiu pasi nuk mori dot masat e duhura për mbarëvajtjen e protestës së PD në Tiranë.
Ajo çfarë bie në sy në CV-në e Hitajt është përvoja e tij në drejtimin e policisë në disa qarqe të vendit si në Durrës, Dibër, Shkodër dhe së fundmi Fier.
Përvoja në qarkun e Shkodrës ku më herët ka shërbyer dhe si zv drejtor i hetimit të krimit, konsiderohet një nga etapat që ka konsoliduar profilin e tij profesional, duke qenë se zona ka qenë historikisht një prej pikave ku strukturat policore janë përballur me ngjarje të rënda kriminale dhe nevojën për një koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operacionale dhe hetimore.
Një tjetër etapë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në qarkun e Durrësit i cili përbën një nga zonat më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe lëvizjes së madhe të njerëzve e mallrave.
Gjatë periudhës së drejtimit të strukturave policore në Durrës janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një nga rastet më të rëndësishme lidhet me zbërthimin e vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi hetuesit të hedhin dritë mbi disa ngjarje të rënda kriminale në Durrës, Tiranë dhe në zona të tjera të vendit.
Në profilin e tij profesional evidentohet gjithashtu fakti se gjatë gjithë karrierës në Policinë e Shtetit, emri i Skënder Hitajt nuk është përfolur për lidhje me krimin apo me grupe kriminale. Versus.al


