
Skënder Hitaj është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vendimi është marrë ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama i cili vendosi mes 3 emrave të propozuar nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Ky i fundit tha se emërimi i Hitajt është bërë bazuar në meritë dhe integritetin e figurës së tij pasi ka mbajtur poste drejtuese në disa qarqe.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.
Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve. Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike.
Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”- shkroi Lamallari në postimin e tij.
Kandidatë të tjerë mes të preferuarve për këtë post ishin edhe Tonin Vocaj dhe Lorenc Panganika. Hitaj më parë ka qenë drejtor i policisë në qarqet: Fier, Shkodër dhe Dibër. Versus.al


