Një ngjarje e rëndë është shënuar në Gjirokastër, ku një 72-vjeçare ka ndërruar jetë pak orë pasi u rrëzua nga tarraca e Azilit të Pleqve, ku ishte rezidente.
E moshuara, Sheqere Zeko, ra nga një lartësi rreth 7 metra mesditën e sotme, duke pësuar fraktura në shpatull dhe në këmbë, si edhe dëmtime të tjera trupore.
Menjëherë pas incidentit, ajo u transportua me autoambulancë drejt Spitalit të Gjirokastrës, ku iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore.
Burime spitalore bëjnë me dije se në momentet e para gjendja e saj ishte e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Por rreth një orë më vonë, gjendja shëndetësore u përkeqësua, çka bëri të nevojshëm transferimin drejt Spitalit Memorial të Fierit për trajtim më të specializuar.
Sipas konfirmimit nga ky spital, 72-vjeçarja ka mbërritur pa shenja jete në pavionin e traumës, pasi dyshohet se ka ndërruar jetë gjatë transportit.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje./Versus.al

