AKTUALITET /

REL: Sekuestrohen 2.6 tonë kokainë në Portugali, arrestohet edhe një shqiptar

Sipas njoftimit të Policisë Financiare italiane, droga u gjet në bordin e një gomoneje të shpejtë, e përshtatur për lundrim në det të hapur

Shkruar nga Versus

REL: Sekuestrohen 2.6 tonë kokainë në Portugali, arrestohet edhe

Një sasi prej më shumë se 2.6 tonë kokainë është sekuestruar në brigjet e Portugalisë, në Oqeanin Atlantik, gjatë një operacioni ndërkombëtar të autoriteteve italiane, spanjolle dhe portugeze.

Sipas njoftimit të Policisë Financiare italiane, droga u gjet në bordin e një gomoneje të shpejtë, e përshtatur për lundrim në det të hapur. Ky lloj mjeti përdoret shpesh nga trafikantët për të marrë ngarkesa narkotike të hedhura në det nga anije të mëdha që transportojnë drogë nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Në pranga kanë rënë katër persona që ndodheshin në mjet. Ata janë dy shtetas spanjollë, një banor i Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar me banim në Itali.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se vlera e kokainës në tregun me shumicë arrin rreth 78 milionë euro, ndërsa pas përpunimit dhe shitjes në tregun me pakicë, ngarkesa mund të gjeneronte të ardhura deri në 500 milionë euro.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet e sigurisë së Spanjës dhe Portugalisë, ndërsa hetimet po koordinohen nga prokuroria italiane në Breshia për të zbardhur rrjetin e personave të përfshirë.

Sipas agjencive evropiane të zbatimit të ligjit, grupet kriminale shqiptare janë përmendur në hetime të ndryshme ndërkombëtare për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës, veçanërisht për transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e saj në tregjet evropiane./Versus.al

Poll