Një fëmijë më pak se dy vjeç ishte personi i radhës që e pësoi nga qarkullimi pa kriter i monopatinave elektrike në vendin tonë. Duke menduar se ishte i sigurt në sheshin “Italia” në qendër të kryeqytetit, pak shkujdesje e prindërve rezultoi në përplasjen e vogëlushit nga një monopatinë që drejtohej nga një i mitur.
Gjithçka ndodhi teksa oficerët e policisë së rendit ishin të pranishëm. Pavarësisht kësaj, asnjë masë nuk u mor për të miturit e moshës rreth 15 vjeç apo edhe më të vegjël të cilët qarkullonin lirshëm me monopatina në prani të vogëlushëve të cilët herë pas here mund t’u ikin prindërve nga duart për të ecur në sheshin që duhej të ishte “më i sigurti për ta”.
Këto pamje të siguruara nga Versus.al janë regjistruar pasditen e 25 qershorit, pak orë pasi kryeqyteti u shokua nga një aksident i ndodhur fare pranë Piramidës ku një makinë përplasi 3 të mitur që lëviznin me dy monopatina.
Videoja tregon qartë pafuqinë e shtetit për të patur nën kontroll këto mjete që janë kthyer në “makth” për shoferët e makinave, por edhe për këmbësorët të cilët nuk ndihen të sigurt kur ecin me frikën se nga momenti në moment ngjitur tyre mund të kalojë ndonjë skuter elektrik.
Të miturit, mes të cilëve më i madhi mund të jetë 14 vjeç, duket sikur bëjnë “karshillëk” para policisë së rendit që rri e i vëzhgon, vetëm pak orë pas aksidentit të rëndë ku u përplasën dy 9 vjeçarë dhe një 11 vjeçar.
Indiferenca e kompanisë “BinBin”
Duke parë që pjesa më e madhe e skuterave elektrikë që qarkullojnë në kryeqytet drejtohen masivisht nga të miturit, Versus.al i drejtoi disa pyetje kompanisë “Bin Bin” në Tiranë e cila jep monopatina me qira për përdorim. Pyetjeve tona lidhur me kriteret që duhet të përmbushë një person për të marrë me qira një monopatinë, kompania as nuk denjoi t’u përgjigjej duke shfaqur indiferencë për rastin që kishte ndodhur ku tre të mitur u përplasën teksa qarkullonin me monopatinë në rrugë kryesore. Sipas një vëzhgimi të bërë nga Versus.al fëmijët mund të marrin monopatina në “BinBin” fare lehtë pa patur nevojë për kartë ID, vetëm për një email me anë të të cilit regjistrohen. Madje ka edhe raste kur për shkak se monopatinat janë të hapura dhe të përdorura më parë, u jepen të miturve edhe pa patur nevojë për email dhe procedura “burokratike” duke i shndërruar më pas në rrezik potencial për shoferët e makinave.
Kodi rrugor, mungesa e rregullave për monopatinat
Në legjislacionin shqiptar ka një mungesë të theksuar për rregullimin e qarkullimit të skuterave elektrikë ose siç quhen ndryshe monopatina. Neni 188 i Kodit Rrugor shprehet se: Qarkullimi me anë të patinave, karrocave ose me të tjerë shpejtues lëvizjeje është i ndaluar në karrexhatat e rrugëve.
Por pavarësisht se ka patur disa projekt-drafte të propozuara për t’u miratuar në Kuvend, sërish nuk ka patur angazhim për miratimin e tyre duke bërë që edhe policia të jetë e pafuqishme në raste të tilla.

Versus.al u interesua edhe në drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit për të marrë më shumë informacion lidhur me këtë shqetësim që tashmë nuk mund të injorohet sidomos në rrugët e mbipopulluara të kryeqytetit. Në përgjigjen e marrë thuhet se ndaj drejtuesve të mjeteve të tilla në raste të caktuara, policia rrugore ka marrë masa administrative duke i gjobitur në bazë të nenit 180 të Kodit rrugor që konkretisht rregullon qarkullimin e biçikletave dhe jo të monopatinave.
Për rrjedhojë, policia sqaron se edhe kufizimet dhe gjobat për shkeljet e bëra ndërmerren njëjtë si për biçikletat edhe kur monopatinat drejtohen nga të mitur.
“Fillimisht vërtetohet mosha, pasi nën moshën 10 vjeç, referuar nenit 180 të Kodit Rrugor, duhet që i mituri të jetë i shoqëruar nga prindi ose kujdestari dhe të lëvizë në krahun e djathtë të shoqëruesit. Në rast të kundërt, përsëri operohet sipas parashikimeve të nenit 180 të Kodit Rrugor”- thuhet në sqarimin e policisë. Por ajo çfarë shihet në terren është krejt e kundërta, pasi të miturit jo vetëm që nuk janë nën shoqërinë e prindërve, por qarkullojnë në rrugët më me shumë fluks automjetesh në kryeqytet.
Teksa thekson se përgjegjësia për masat e marra ndaj monopatinave është e policisë rrugore, në reagimin e Policisë së Shtetit, bëhet me dije gjithashtu se deri më tani në 6 muaj të këtij viti, aksidentet ku janë përfshirë monopatinat zënë 2.4% të totalit, duke e bërë këtë një shifër të lartë kur marrim parasysh se më së shumti drejtohen nga të mitur. Sot drejtori i policisë Ilir Proda njoftoi se parkimi i dyfishtë i automjeteve do të konsiderohet vepër penale pasi rrezikon qarkullimin, ndërkohë që monopatinat në gjithë Tiranën mbeten jashtë çdo kontrolli.
Përveç ndërgjegjësimit më të lartë që duhet të kenë kompani si ‘BinBin’ që të mos u japin në përdorim monopatina të miturve që nuk janë të shoqëruar nga prindërit, duhet që autoritetet të vihen sa më shpejt në lëvizje, por që kjo të ndodhë Kuvendi duhet të bëjë pjesën e vetë me miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor ku të bashkangjiten rregulla të posaçme për monopatinat. Versus.al







