AKTUALITET /

Rreziku nga zjarret gjatë sezonit veror/ Lamallari: Deri në 30 vite burg për zjarrvënësit e qëllimshëm

Ministri Lamallari tha se do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona

Shkruar nga Versus

Rreziku nga zjarret gjatë sezonit veror/ Lamallari: Deri në 30 vite

Në prag të sezonit veror dhe rritjes së riskut për zjarret, ministria e Brendshme ka hartuar një plan të detajuar masash për parandalimin e zjarreve dhe forcimin e kapaciteteve operacionale gjatë verës.

Në një takim të organizuar nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit  me drejtuesit e strukturave zjarrfikëse nga të 61 bashkitë e vendit, dhe me pjesëmarrjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari u diskutua ky plan që synon minimizimin e rasteve të zjarreve, rritjen e reagimit në kohë dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Ministri Lamallari tha se do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona.

"Rastet më të rënda dënimet për zjarrvënësit mund të arrijnë deri në 30 vite burg.

Do të ushtrohen kontrolle në hotele, resorte, restorante, beach-bar dhe subjekte të tjera me risk, për të verifikuar masat e sigurisë dhe planet e evakuimit. Në këtë proces nuk ka vend për formalitet. Ka vend vetëm për përgjegjësi”, theksoi ministri Lamallari.

Në fjalën e tij, ministri Lamallari vlerësoi punën dhe sakrificën e efektivëve të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, duke theksuar se ky është një shërbim jetik për sigurinë publike dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

“Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi është një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë publike në vend. Është një shërbim që qytetarët e shohin gjithmonë aty ku ka rrezik, aty ku ka emergjencë dhe aty ku kërkohet sakrificë”, u shpreh Lamallari. Ministri theksoi se mbështetja për këtë shërbim është rritur ndjeshëm, duke bërë të ditur se financimi për vitin 2025 është rritur në 2.8 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë një vit më parë.

Sipas Lamallarit, aktualisht në strukturat vendore operojnë rreth 170 automjete zjarrfikëse, ndërsa janë planifikuar edhe 130 mjete të reja, si dhe ndërtimi i 4 stacioneve të reja zjarrfikëse në Përrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë. Duke u ndalur te masat për sezonin veror, ministri nënvizoi rëndësinë e gatishmërisë dhe koordinimit mes institucioneve përgjegjëse. Versus.al

 

Poll