Kreu i qeverisë, Edi Rama ka prezantuar sot “Albanian Digital Solution”, platformën e re digjitale krahas AKSHI-t që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.
Pavarësisht skandalit të zbuluar pas hetimeve të SPAK, Rama e konsideroi AKSHI-n “histori të jashtëzakonshme suksesi” dhe shprehu bindjen se ka arritur të lehtësojë shumë procedura të qytetarëve shqiptarë duke i përmbledhur në një platformë të vetme pa qenë nevoja të paraqiteshin diku fizikisht.
“Është një ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital dhe transformimit rrënjësor të qeverisjes së vendit nëpërmjet teknologjisë sepse sot ne bëjmë publike një kompani të re, shoqëri të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re. AKSHI është një histori e jashtëzakonshme suksesi e cila ka kaluar përmes një rruge aspak të lehtë, një rrugë që ka nisur me një grusht shërbimesh dhe që pastaj ka kulmuar në 1200 e kusur shërbime publike online. Një rrugëtim që ka nisur me një grusht njerëzish dhe që ka kulmuar me mbi 3 milionë përdorues si rezultat edhe i momentit dramatik të pandemisë.
E-Albania u bë shpëtimtarë për shëndetin e shqiptarëve, të cilët përmes saj mundën të zbatojnë edhe masat e domosdoshme kufizuese, një rrugë ku sigurisht nevoja për financim ka ardhur duke u rritur pasi sistemet e ndërtuara kërkojnë financim qoftë për tu ndërtuar qoftë edhe për tu mirëmbajtur, një rrugë ku qartësisht lindi nevoja për të ndarë udhëheqjen e qeverisjes elektrike për përcaktimin e standardeve, koordinimin e forcave të përfshira dhe kontrollin e cilësisë dhe përputhshmërisë dhe gjithë nivelit operacional”-tha Rama.
Sipas tij, ADS do të mund të kursejë paratë që shteti paguan për mirëmbajtjen e sistemeve.
“Një kompani që të garantojë të gjitha vazhdimësinë teknike dhe të ofrojë përgjegjshmërinë institucionale dhe qytetare në raport me publikun duke garantuar njëkohësisht matshmërinë e shërbimit. Kjo është ambicia e cila ka një faturë shumë domethënëse, shumë kuptimplotë, e shtuar në bazë të një projeksioni, të pikërisht shifrave që ndryshojnë, me ndryshimin e qasjes së qeverisë dhe të qeverisë elektronike në baze të marrësve të shërbimit. Në rast se sot shpenzojmë x për vetëm mirëmbajtjen e sistemeve, një shumë e konsiderueshme që i shkon kompanive private brenda një harku 3-vjeçar do t’i kursejmë shtetit dhe vetë qeverisjes elektronike një shumë të barabartë më shumën që sot shkon për mirëmbajtjen e cila faktikisht do të mund të kthehet në një kapacitet të ri investimesh për AKSHI-n nëpërmjet Albanian Digital Solution Sh.A.”- shtoi kryeministri. Versus.al


