AKTUALITET /

‘’S’di gjë e ka vëllai’’, drejtori i burgut u lirua, detaje: Shtëpia e barit me 4 mijë rrënjë kanabis ruhej me roje

Shkruar nga Versus

‘’S’di gjë e ka vëllai’’, drejtori i

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar ditën e djeshme në Peqin, ku u zbuluan 4 mijë rrënjë kanabis sattiva në dy magazina të familjes së Bilal Hasës, drejtor i Burgut të Rrogozhinës. Hasa u shpall në kërkim dhe u vetëdorëzua pas disa orësh, ndërsa gjatë marrjes në pyetje burime pranë organeve hetuese, konfirmuan se ka mohuar përfshirjen e tij dhe ka deklaruar se për shtëpinë e vjetër, përfshirë edhe magazinën përkujdesej vëllai i tij Romario Hasa që është shpallur në kërkim bashkë me përgjegjësin e OSHEE-së në zonën e Peqinit Ervis Maçi që akuzohet për shpërdorim detyre. Lirimi i Bilal Hasës ndodhi pa vajtur dosja e plotë në Prokurorinë e Elbasanit me materialet përkatëse, pasi policia bëri verifikimet e saj dhe nisur nga dëshmitë por edhe disa veprime hetimore, vendosi ta hetojë në gjendje të lirë, teksa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka pezulluar nga detyra deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia e Shtetit dha koordinatat e magazinës në fshatin Kurtaj të Peqinit, duke sinjalizuar autoritetet e Elbasanit se aty ka informacione që ndodhet një ‘shtëpi bari’.

Gjatë aksionit askush nuk u gjet në afërsi të plantacionit, duke mos përjashtuar dyshimet që të ketë patur rrjedhje informacioni për ndërhyrjen. Kjo pasi një sasi kaq e madhe e kultivimit të bimëve narkotike në një numër prej 4 mijë rrënjësh, dhe në gjendjen shumë të zhvilluar të tyre, domosdo kishte nevojë për përkujdesje. Për më tepër, në vendin e ngjarjes, janë gjetur sende të shumta që kanë gjurmë AND-je si shishe plastike, bishta cigaresh, sende e mjete pune, të cilat do të ekspertohen dhe dilet në përfundim krahasues me personat që kanë qenë të përfshirë në këtë aktivitet. Veç kësaj, tha një burim pranë hetimeve, për drogën jo vetëm që kishte persona që përkujdeseshin, por edhe roje për të parandaluar kontaktet e mundshme të personave të paautorizuar apo ndërhyrjen e autoriteteve.

Gjithashtu, burimet konfirmojnë se një transformator që mund të shërbejë për furnizimin me energji të një lagjeje të tërë ishte vendosur në dispozicion nga OSHEE ndaj këtyre magazinave, ndaj shihet si përgjegjës drejtuesi i OSHEE për Peqinin Ervis Maçi, me dyshimet që së paku ka shpërdoruar detyrën, duke mos përjashtuar edhe bashkëpunimin që mund të ketë patur me kultivuesit. Magazinat në të shkuarën shërbenin si hambar për pajisjet apo produktet bujqësore e blegtorale, apo stalla bagëtish dhe ndodhen shumë pranë shtëpisë së vjetër të Bilal e Romario Hasës. Hasa që u vetëdorëzua në polici pasditen e të enjtes ka mohuar çdo lidhje me aktivitetin e paligjshëm, duke deklaruar se prej muajsh nuk ka frekuentuar objektin dhe nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë që mund të zhvillohej aty. Versus.al

Poll