21 protestuesit e arrestuar gjatë protestës së 2 korrikut para Kuvendit vijojnë të ndodhen në Gjykatën e Tiranës, ku prej disa orësh po zhvillohet seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit dhe caktimin e masave të sigurisë.
Jashtë godinës së gjykatës janë mbledhur qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të Grupit Koordinues, të cilët po protestojnë në mbështetje të të arrestuarve dhe kërkojnë lirimin e tyre.
Sipas informacioneve, fillimisht Prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për të gjithë të arrestuarit.
Megjithatë, pas administrimit të provave shtesë gjatë seancës, organi i akuzës ka ndryshuar qëndrimin për tre prej tyre, duke kërkuar caktimin e masës "arrest me burg".
Ndërkohë, ka përfunduar shqyrtimi i masës së sigurisë për të arrestuarin e parë, Albion Nikolli.
Për të, Prokuroria kërkoi shpalljen të ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës "detyrim paraqitje".
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Stefan Topalli kërkoi që arrestimi të shpallej i paligjshëm dhe ndaj klientit të tij të mos vendosej asnjë masë sigurimi.
Në argumentet e paraqitura para gjykatës, ai theksoi se Nikolli është mjek onkolog dhe se, sipas mbrojtjes, profili dhe personaliteti i tij nuk përputhen me kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet./Versus.al


