AKTUALITET /

Selanik: Tre të akuzuar në burg, për zhvatje 200 mijë euro, dy prej tyre shqiptarë

Operacion i policisë greke shkatërron grupin që kërcënonte biznesmenin, dy shqiptarë dhe një grek të prangosur; dyshohet edhe një i burgosur si drejtues i rrjetit

Shkruar nga Versus

Selanik: Tre të akuzuar në burg, për zhvatje 200 mijë euro,

Tre persona të akuzuar për tentativë zhvatjeje ndaj një biznesmeni në Selanik janë dërguar në burg me vendim të gjykatës greke, pas një operacioni të gjerë policor që zbuloi një skemë të sofistikuar shantazhi me qindra mijëra euro.

Të pandehurit, dy shtetas shqiptarë 43 dhe 34 vjeç dhe një shtetas grek 23 vjeç, akuzohen se kanë marrë pjesë në një përpjekje për t’i zhvatur 200 mijë euro një pronari koncesionari makinash në zonën e Vasilissis Olga. Të tre kanë mohuar akuzat gjatë dëshmive të tyre para hetuesit, por gjykata ka vendosur masën e arrestit.

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se vepronte nën drejtimin e një tjetër shtetasi shqiptar, aktualisht i burgosur, i cili dyshohet se jepte urdhra dhe koordinonte aktivitetin kriminal nga qelia. Ai rezulton të ketë një të kaluar të rëndë kriminale, përfshirë akuza për vrasje dhe trafik droge.

Arrestimet u kryen nga njësitë e Krimit të Organizuar në Greqinë Veriore, pas një denoncimi të bërë nga viktima, i cili raportoi se ishte kërcënuar përmes telefonit dhe i ishte kërkuar shuma prej 200 mijë eurosh, me pretekste të fabrikuara dhe kërcënime ndaj jetës së tij.

Sipas dëshmisë së biznesmenit, shantazhi lidhej edhe me një rast të supozuar që përfshinte një vajzë 17-vjeçare me origjinë shqiptare, megjithëse ai ka deklaruar se nuk kishte asnjë lidhje me të.

Situata është përshkallëzuar më tej me sulme të tjera ndaj tij, përfshirë djegie makinash me kokteje Molotov dhe të shtëna me armë automatike në një prej bizneseve të tij.

Në një fazë të mëvonshme, kërkesa e grupit kriminal është ulur në 100 mijë euro, ndërsa kërcënimet kanë vijuar përmes një “negociatori” të dytë.

Policia organizoi një operacion të kontrolluar, gjatë të cilit biznesmeni dorëzoi 50 mijë euro në një takim të paracaktuar. Menjëherë pas marrjes së parave, forcat speciale ndërhynë dhe arrestuan të dyshuarit, pavarësisht rezistencës së tyre.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan një armë zjarri me municion, telefona celularë dhe para në euro, ndërsa shuma e përdorur për operacionin iu kthye viktimës.

Në një tjetër zhvillim, gjatë kontrollit në qelinë e të dyshuarit të tretë, policia gjeti telefona celularë dhe një armë të improvizuar, duke shtuar dyshimet për vijim të aktivitetit kriminal edhe nga brenda burgut.

 

 

 

 

 

 

Poll