
Një organizatë kriminale me bazë në Itali, e drejtuar nga shqiptarë, është çmontuar nga karabinierët e Foggia pas një hetimi të gjatë dhe të koordinuar, i cili nxori në dritë një trafik të strukturuar të drogës së fortë.
Si rezultat i operacionit, 24 persona u vunë nën urdhër paraburgimi: 19 prej tyre përfunduan në burg, ndërsa 5 të tjerë u mbajtën nën arrest shtëpiak me byzylykë elektronik. Të akuzuarit janë pjesë e një rrjeti që shtrihej jo vetëm në provincën e Foggia, por edhe në Rieti, Emilia Romagna dhe Molise të poshtme, duke përfshirë shtetas italianë, shqiptarë, gjeorgjianë dhe rumunë.
Hetimi nisi me monitorimin e një shqiptari 36-vjeçar, me precedentë penalë, i cili dyshohet të jetë zemra dhe truri i trafikut të drogës në rajonin e Daunias. Ai blinte kokainë në sasi të mëdha nga bashkëkombësit e tij në Itali Veriore dhe, përmes një rrjeti të mirëfilltë bashkëpunëtorësh, e shpërndante atë në tregun e Foggias dhe më gjerë.
Rrjeti që ai drejtonte dyshohet se shiste 5 deri në 10 kg kokainë në muaj, duke e blerë drogën për mbi 22 euro për gram dhe duke e shitur me çmime që varionin nga 30 në 50 euro për gram. Fitimet mujore, sipas hetimeve, mund të arrinin deri në 200,000 euro. Droga ruhej në deponime të fshehta, paketohesh dhe shpërndahej pa u prekur, duke garantuar cilësinë e lartë të saj. Një sekuestrim i 2 kg kokainë nga Bolivia dokumentoi një pastërti alarmante prej 96%.
Hetimi zbuloi gjithashtu një rrjet të pavarur të trafikut, i krijuar nga shtatë persona në provincën e Parmës, të cilët bashkëpunonin ngushtë me grupin shqiptar. Droga transportohej me makina me fund të dyfishtë, komunikimi bëhej me kripto-telefone, dhe paratë e fituara transferoheshin në Shqipëri, duke përdorur shoferë dhe transportues që përfshiheshin në skemën e paligjshme. Një shembull i këtij aktiviteti u dokumentua në janar, kur karabinierët sekuestruan 40,000 euro në një zonë pushimi përgjatë autostradës SS 16. /VERSUS

