Një rrjet firmash janë shkaktarët e fundosjes së Marinës në Durrës, një prej skandaleve më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri, i cili nisi si një investim strategjik dhe po përfundon në një turp dhe njollë të madhe për Shqipërinë.
I trumbetuar me të madhe se pas ndërtimit qëndron firma Alabbar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ata të cilët ndërtuan qindra godina në Dubai dhe Abu Dabi, Marina konsiderohej si shëmbëlltyra e turizmit dhe rezidencave luksoze, ndërsa tashmë projekti rrezikon të dështojë, ende pa u inauguruar godinat e para.
Një njoftim i beftë i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka zbuluar skandalin, duke konfirmuar se 2 godinat e Marinës janë fundosur, njëra 28 centimetra dhe tjetra 18 centimetra. Por, zhytja mund të vijojë, duke qenë se projekti po vijon dhe mijëra kamionë dhe inerte janë zhvendosur në territorin që dikur ka qenë Porti i Durrësit, më i madhi në Shqipëri, por që tashmë është katandisur me një cep, në pritje të zhvendosjes në Porto Romano.
Vox News ka analizuar dhjetëra dokumente, leje ndërtimi, marrëveshje mes palëve, dokumente në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të cilat hedhin dritë mbi shkaktarët e vërtetë të kësaj zhytje, ku në krye qëndron investitori, që është firma nga Emiratet dhe vetë shteti shqiptar dhe më pas firma projektuese dhe ndërtuese. Ndërkohë, kjo shoqëri aksionere, ka kontraktuar një firmë projektimi, në pronësi të Ornela Muçit, ndërsa firma që ka kryer ndërtimin e godinave është “Elmazaj”.
Në datën 13 maj 2026, IKMT nxori një njoftim, në lidhje me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit “Durrës Marina”.
Bëhet fjalë për 2 godina, leja e të cilave është dhënë në vitin 2023, me 10 dhe 8 kate, ku rezultoi se objekti numër 2, i lartë 8 kate, ka pësuar ulje prej 28 cm. Ndërkohë, në të njëjtin njoftim, IKMT-ja thotë se objekti numër 4, i lartë 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 centimetra.
“Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave. Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit”, thuhet në këtë njoftim.

Vox News ka hulumtuar dokumente të tjera, nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, për projektin që është fundosur, ku rezulton se leja e ndërtimit është dhënë në vitin 2023, përkatësisht në muajin gusht. Në fakt, në këtë leje janë ndërtimi i 2 godinave, në formë U-je, të larta 8 njëra dhe 10 tjetra, ndërsa në dokument janë edhe parametrat dhe gjithçka tjetër.
Normalisht, nëse institucionet e tjera ligjzbatuese do ta hetojnë këtë skandal, pasi miliona euro po fundosen, dokumentet janë evidente, me emra firmash investitorë, me emra personash administratorë, qoftë privatë apo edhe shtetërorë, pasi një pjesë të aksioneve në Marinën e Durrësit, janë shtetërore.
Subjekti zhvillues është “Marina e Durrësit”, një shoqëri aksionere, që kohët e fundit ka rritur edhe kapitalin me plot 6 milionë euro, sipas një transferte të bërë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në drejtim të llogarisë së kompanisë.


Vox News ka mësuar se, firma zhvilluese ka lidhur disa kontrata me firma vëndase për kryerjen e punimeve për ndërtimin e godinave. Mësohet se, dy firma po punojnë më së shumti në atë zonë, “Elmazaj” dhe “Salillari”. Kompania e parë, “Elmazaj Konstruksion” ka kryer punimet në dy godinat e Marinës që janë fundosur, teksa dy pronarët e saj, Shkëlqim dhe Mirel Elmazaj, duhet të japin llogari, qoftë te punëdhënësi, apo në organet ligj zbatuese se si qëndron e vërteta.
Në këto ditë, firmat do të justifikohen se “jemi brenda garancisë”, por fakt mbetet se si do ta çojnë në kuotë ose si do ta ngrenë pallatin për të çuar në ato parametra që është dhënë leja e ndërtimit. Dy janë mundësitë, ose KKTU-ja të miratojë një leje të re ose këto firma të shembin dhe t’ ribëjnë nga e para dy pallatet, tashmë të ndërtuara. Por, përpos këtyre godinave, në rrezik është i gjithë projekti, pasi mund të çedojë dhe të ketë të njëjtin fat si godinat me numër 02 dhe 04.
Vox News ka shfletuar dokumente nga QKB-ja për Elmazaj, e cila figuron një kompani që ka marrë dhjetëra punë apo tendera shtetërorë, ndërsa është futur si pykë në disa projekte madhore, si koperturë e emrave apo firmave të tjera. Por, duket se këto ndërtime i kanë “nxjerrë bojën”, pavarësisht se në letra ka deklaruar në vitin 2025 se ka dalë me një fitim prej rreth 1 milionë euro. Nga këto, 56 milionë i kaloi për investime dhe 40 milionë i ndau divident.
Një vit para se të angazhohej me Durrës Marina, kompania ka deklaruar në vitin 2024 se doli me një fitim prej 12.3 milionë lekësh, nga këto 12 milionë i ndau divident dhe disa qindarka i la për investime.

Vox News shfletoi dokumente të tjera nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, ku rezulton se 2 godinat që po fundosen, janë projektuar nga firma X Plan Studio, një kompani e themeluar në vitin 2010, me pronare Ornela Muçajn, nga Fieri. Kjo kompani merret me projektimin dhe zbatimin e punimeve të ndërtimit, rikonstruksionin, mbikëqyrjen apo kolaudimin e punimeve.
Në vitin 2025, pronarja e firmës ka publikuar edhe bilancet, ku ka rezultuar se ka dalë me një fitim prej 32 milionë lekësh. Nga këto, 14 milionë i ka ndarë divident, pra i ka marrë vetë, dhe 18 milionë i ka futur te firma për rritje kapitali./Voxnews


