
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zhvilloi një inspektim në projektin “Durrës Marina” pas raportimeve të vazhdueshme se godinat e këtij projekti kanë pësuar një fundosje në tokë deri në 74 centimetra.
Pas inspektimit, IKMT konfirmoi se ka patur një lloj “zhytje” të ndërtesave në tokë, konkretisht në objektin 02 me 28 centimetra dhe në objektin 04 me 18 centimetra. Pra në total ka një zhytje prej 46 centimetrash krahasuar me planin e projektit duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e tokës ku është ndërtuar.
Institucioni bën me dije se ka kërkuar që kompania që po merret me ndërtimin të marrë një miratim nga autoritetet ligjore përgjegjëse për të realizuar përforcimet e nevojshme teknike në mënyrë që të garantohet qëndrueshmëria e godinave.
Reagimi i plotë:
Në përgjigje të raportimeve të publikuara javët e fundit në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) sqaron sa vijon:
Në zbatim të përcaktimeve ligjore dhe detyrave funksionale, me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).
Verifikimi u krye në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, miratuar me Vendimin nr. 34, datë 01.08.2023, të KKT-së, për objektet: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme.
Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:
Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;
Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.
Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.
Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit. Versus.al

