Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në lidhje me hetimet për dosjen e “AKSHI-t”, ku nga kantina e verës janë zhdukur produktet e ardhura kryesisht nga Franca dhe Italia që kapin vlerën e mbi 1.3 milion eurove që ishin vënë nën sekuestro nga SPAK.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal dhe shpallur në kërkim Eno Agasin, kushëririn e biznesmenit Ergys Agasi që u shpall gjithashtu në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes për tenderat e AKSHI-t. Burime të besueshme konfirmuan se nga futja e verës në Shqipëri pa paguar akcizë i është shkaktuar dëm shtetit shqiptar në vlerë 400 mijë euro.
Gjatë kontrolleve në banesa e objekte në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, BKH zbuloi kantinën e verës në vilën e Agasit në zonën e Mulletit dhe vendosën sekuestrimin e saj, pasi malli ishte kontrabandë. Doganat bënë inventarin përgjatë disa orëve dhe në momentin e kontrolleve vendosën duke qenë se ishte natën ta transportonin të nesërmen ndërsa malli u la në ruajtje në vilë. Gjatë natës ka dyshime se Eno Agasi e ka hequr verën si dhe ka marrë serverin e kamerave të sigurisë duke u zhdukur pa gjurmë bashkë me to.
Prokurori Bledar Valikaj, ka shpallur në kërkim Eno Agasin për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë e mallrave që paguajnë akcizë dhe magazinim i mallrave që paguajnë akcizë ndërsa burimet konfirmuan se po kryhet edhe hetim pasuror krahas atij të nisur nga SPAK.
Pritet tashmë që kjo ngjarje e paprecentë të nxjerrë edhe përgjegjësit, që kishin në ruajtje mallin e sekuestruar që iu iku nga duart. Hetimet për këtë episode, pasojnë operacionin e javës që po lëmë pas, të Prokurorisë së Posaçme, e cila firmosi 8 masa sigurie, mes të cilave edhe për drejtoreshën Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karçanaj që akuzohet për grup të strukturuar kriminal e shkelje të barazisë në tendera.
Dosja zbuloi se kjo agjenci që trajtohet gjerësisht si kopshti personal i kryeministrit Edi Rama, për shkak edhe të përfshirjes së personave të afërt apo familjarëve të tij, dha tendera të paracaktuar në vlera miliona euro duke shmangur çdo kriter ligjor të garës.

