
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit që drejton, kreu i SPAK, Klodian Braho u pyet nëse do t’i drejtohen sërish Kuvendit me kërkesën për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku pas akuzave të reja.
Duke mos e specifikuar një gjë të tillë, Braho tha se hetimet e SPAK kanë vijuar dhe se vendimmarrja do të jetë e bazuar në ligj.
"Dy gjëra mund t’ju them, e keni të qartë qëndrimin e SPAK po kështu dhe mënyrën sesi SPAK ka vazhduar hetimet pas një mospranimi kërkese. Faktet tregojnë që SPAK ka bërë punën. Këto elementë nuk krijojnë bindje dhe as dyshim mbi integritetin e SPAK në një çështje të profilit të lartë. Nuk mund të paranjoftoj vendimmarrje të çështjeve në hetim. Ajo që garantoj është që do të jetë vendimmarrje e garantuar në ligj, në prova që siguroi hetimi duke marrë parasysh dhe arsyet se pse kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës"- u përgjigj Braho ndërsa më herët tha se po të ishte në dorën e tij marrja e vendimeve kushtetuese, atëherë nuk do kishte patur imunitet për deputetët. Versus.al

