
Prokuroria e Posaçme ka hedhur dritë mbi një skemë të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash në tenderët e AKSHI-t, ku në qendër të hetimit përmenden Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri dhe një rrjet kompanish të lidhura mes tyre.
Sipas fashikujve hetimorë dhe raportimeve që i referohen dosjes, skema dyshohet se është ndërtuar mbi tenderë të paracaktuar, fatura fiktive dhe transferim fondesh publike drejt shoqërive të kontrolluara nga të hetuarit.
Sipas materialeve të dosjes, EA Solution, në pronësi të Ergys Agasit, ka faturuar rreth 2.9 miliardë lekë për disa kompani që kanë fituar procedura prokurimi, ndërsa në total dyshohet se në llogaritë e saj kanë kaluar mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro.
Hetimi pretendon se këto pagesa janë paraqitur si shërbime, por në fakt kanë shërbyer si shpërblime të kamufluara për fitimin e tenderëve publikë të AKSHI-t.
Organi i akuzës dyshon se EA Solution në pronësi të Ergys Agasit ka funksionuar si mjet për transferimin e ryshfetit në formë tregtare, ndërsa shërbimet reale janë kryer nga subjekte të tjera, kryesisht Soft & Solution, duke e bërë marrëdhënien kontraktore fiktive.
Në këtë skemë, fatura tatimore dyshohet se është përdorur për të “legalizuar” vlerat korruptive dhe për t’i futur ato në qarkullim financiar si shpenzim të zbritshëm.
Dosja e SPAK-ut përmend edhe një lidhje të ngushtë mes Agasit dhe ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilën prokuroria e konsideron pjesë të mekanizmit që mundësoi fitimin e tenderëve.
Sipas dëshmive dhe materialeve hetimore të publikuara, Karçanaj është filmuar në zyrën e Agasit, ndërsa hetimi pretendon se vendimmarrja në AKSHI ka favorizuar kompani të caktuara me lidhje të dyshuara me këtë grup.
Në total, SPAK dhe GJKKO kanë vendosur sekuestrimin e pasurive të shumta të lidhura me këtë hetim, me vlerë të raportuar mbi 40 milionë euro.
Mes tyre përfshihen apartamente në Tiranë dhe Kavajë, një ullishte në Sauk, automjete luksoze, një jaht, llogari bankare dhe kuota biznesesh të lidhura me Karçanajn, Agasin, Beqirin dhe shoqëri si EA Solution, Soft & Solution, First, Fastech, Fast & Fresh dhe Albascan./Versus.al


