AKTUALITET /

Të bukura si yje! Ja kush janë dy motrat fatkeqe që humben jetën në aksident në Sarandë

Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, u shuan në një përplasje fatale në aksin Sarandë–Delvinë. Një vajzë tjetër, Antonela Zhupa, ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Dhimbje e pafund për familjen nga Kopaçeza.

Shkruar nga Versus

Të bukura si yje! Ja kush janë dy motrat fatkeqe që humben

Një aksident tragjik mbrëmjen e së dielës ka tronditur gjithë zonën e jugut, duke i marrë jetën dy motrave të reja nga fshati Kopaçezë, në bashkinë e Delvinës. Elvisa Dhimaku, 22 vjeçe, dhe motra e saj më e vogël, Rozina Dhimaku, 20 vjeçe, humbën jetën pas një përplasjeje të fortë mes dy makinave në afërsi të vendit të njohur si “Pularia”, në aksin Sarandë–Delvinë.

Fotografia e tyre dy motra të qeshura, plot jetë, sot qarkullon në rrjetet sociale dhe mediat online, jo si kujtim i një suksesi, por si simbol i një dhimbjeje që nuk shprehet dot me fjalë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 20:15. Një automjet tip “Audi”, i drejtuar nga 23-vjeçari K. N., u përplas kokë më kokë me makinën tip “Lancia”, që drejtohej nga Elvisa Dhimaku. Përplasja rezultoi fatale për motrat, ndërsa pasagjerja tjetër në automjet, Antonela Zhupa, 24 vjeçe, është dërguar me urgjencë në spital, në gjendje të rënduar shëndetësore.

Rozina Dhimaku ishte studente e mjekësisë, me ëndrra të mëdha për të ndihmuar të tjerët. Një jetë që po ndërtohej me përkushtim dhe sakrificë, u shua pa kthim, së bashku me atë të motrës së saj.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë forcat e policisë, ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës, ndërsa zona u izolua për hetime. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa paraprakisht dyshohet për shpejtësi të lartë dhe mungesë kontrolli nga një prej mjeteve.

Trupat e tyre janë dërguar në morg, ndërsa lajmi ka shkaktuar një tronditje të thellë në Sarandë, Delvinë dhe më gjerë.

Poll