AKTUALITET /

"Të kriminalizohet shpifja, por jo prostitucioni", ‘paradoksi’ i draftit të kodit penal: Ulet dënimi për drogën dhe armët

Shkruar nga Versus

"Të kriminalizohet shpifja, por jo prostitucioni",

Ditën e djeshme, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja zhvilluan takimin e parë të konsultimeve publike mbi draftin e hartuar për kodin e ri penal. Konsultimet publike do të kenë 35 tryeza deri në fund të vitit për ballafaqimin në pika të caktuara të neneve të propozuara për vepra të ndryshme.

Rakipi i cili është edhe kreu i grupit të punës që ka hartuar draftin e kodit të ri penal, e nisi me kritikat që janë bërë për penalizimin e veprave të ndryshme. Ai tha se kjo gjë ka ardhur si pasojë e mosleximit të plotë të draftit.

Ajo çfarë ra në sy gjatë këtij konsultimi që ishte më së shumti një shpjegim kundrejt kritikave të bëra lidhur me draftin, ishte depenalizimi apo ulja e dënimit për disa vepra penale. Rakipi tha se ndërkohë që kodi aktual penal e dënon prostitucionin me 1.5 vite burg, në kodin e ri penal në rast miratimi, kjo nuk do të konsiderohet më vepër penale për shkak të përhapjes së gjerë që ka marrë ky “profesion”.

“Të depenalizohet ushtrimi i këtij profesioni. Për fat të keq duhet të përdor termin profesion. Kodi penal dhe kodi francez nuk e dënon ushtrimin e profesionit. Propozimi ynë nuk është për shkaqe ngjashmërie me çfarë ndodh në Evropë sepse kjo për mua nuk do të mjaftonte, do të ishte shprehje e plagjiaturës. Unë mendoj se terreni shqiptar nuk mbahet më me lëndë penale, sidomos në këtë fushë. Ky lloj profesioni ka marrë përkrahje të gjerë që demonstrohet haptasi edhe nga influencerët e jetës të të miturve apo të tjerëve në vend. Për rrjedhojë lënda penale tashmë është e padobishme”- u shpreh Rakipi.

Paradoksi i draftit të kodit të ri penal

Ndërkohë që parashikohet heqja e dënimit për prostitucionin, gjatë shpjegimeve të bëra lidhur me vepra të tjera penale, Rakipi përmendi edhe propozimin për uljen e dënimeve për  krime si armëmbajtja pa leje, pastrimi i parave apo trafikimi i narkotikëve.

“Vjedhja e cila është mjaft e përhapur, kodi aktual penal e ka dënimin me 1.5 vite burg, projekt kodi 4 vite në mesatare. Kodi italian e ka 3 vite, kodi francez 3 vite.

Mbajtja pa leje e armëve, kodi aktual e ka dënimin 6 vite burg, drafti 5 vite burg, kodi penal italian e ka 7 vite, kodi francez 5 vite.

Narkotikët, kodi aktual 7.5, drafti ynë e ka 4.5 vite burg, kodi italian 13 vite burg, ndërsa francezi 20 vite burg.

Pastrimi i produkteve të veprës penale, kodi aktual 7.5 vite burg, drafti 6 vite burg, kodi italian 8 vite burg dhe ai francez 5 vite burg”- theksoi Rakipi ndër të tjera.

Gjithashtu një tjetër aspekt që ka ngjallur shumë reagime ka qenë neni që kufizon lirinë e shprehjes. Arben Rakipi tha se shpifja duhej të ishte e kriminalizuar dhe se nenet që e shprehin këtë në dënime, nuk prekin gazetarët.

Grupi i punës nuk ka patur kontakte me botën politike apo atë ministrore dhe ka ndenjur në nivelin teknik kur ka paraqitur këtë gjënë. Më pas ky diskutim ka marrë dhenë dhe këtu shtrohet problemi i qëndrimit të grupit të punës në raport me këtë çështje. Unë personalisht pasi kemi folur me grupin e punës për këtë gjë, mendoj se është çështje politike e juridike dhe mbaj përgjegjësinë për të thënë arsyet tona juridike. Si një nënpunës i këtij shteti, nuk dua të krijoj

“Shqipërisë nuk i vjen e keqja nga parashikimi ose mosparashikimi i shpifjes në kodin penal. Niveli i respektit për fjalën që kemi dihet dhe kjo është çështje culture e edukimi. Për rjedhojë ligji penal është elementi i fundit që mund të ndikojë në këtë proces. Çështja e shpifjes merr më së shumti autoritet politik për t’u zgjidhur. Ky autoritet do të shfaqet në qeveri, parlament e me radhë”- tha Rakipi.

Në një shpjegim të gjatë, ai theksoi se neni i kritikuar nga organizatat për lirinë e medias si i formuluar gjerësisht dhe që mund të çojë në ndjekje penale arbitrare të gazetarëve është i nevojshëm. Rakipi tha se gazetarët nuk mund të përjashtoheshin nga ky nen, pasi kjo do të krijonte paragjykimin se ata janë “të licencuar” për të shpifur.

Nga ana tjetër ministri Ulsi Manja tha se ndryshimet në kodin e ri penal do të bëheshin vetëm në rast se drafti merr dritën jeshile nga Bashkimi Europian.

Pavarësisht se tryeza u prezantua si konsultimi i parë publik për draftin, nuk pati momente kur të kishte qëndrime nga anëtarë të shoqërisë civile. Për këtë reagoi edhe deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa e cila lidhur me lirinë e shprehjes tha se drafti cënon lirinë e medias.

“Riprezantimi i sotëm, i kamufluar si dëgjesë ku s’u dëgjua askush nga shoqëria civile, nuk e kishte ndryshuar aspak qasjen e Kodit Penal ndaj lirisë së medias. Nenet problematike që cenojnë drejtpërdrejt lirinë e shprehjes, lirinë e ushtrimit të profesionit të gazetarëve dhe fjalën e lirë vazhdojnë të mbrohen me absurditete, si në videon bashkëlidhur,” shkroi Zhupa. Versus.al

Poll