
Prokuroria e Përgjithshme e Shtetit në Ecuador po zhvillon një hetim të gjerë ndaj një rrjeti të dyshuar ndërkombëtar pastrimi parash të lidhur me trafikun e drogës, ku në dosje përmendet edhe shtetasi serb Jezdimir Srdan.
Sipas autoriteteve, Srdan dyshohet se është pjesë e një strukture kriminale që vepron në Ekuador dhe që ka lidhje me të ashtuquajturën “mafia shqiptare” në vend. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me ekuadorianin Danny Naula González, i njohur si “Odín”, i konsideruar si një nga organizatorët kryesorë të rrjetit.
Trafik kokaine drejt Europës
Hetimet tregojnë se rrjeti kriminal ka organizuar dërgimin e më shumë se 10 tonëve kokainë drejt porteve të Holandës dhe Belgjikës, duke krijuar bashkëpunime me grupe lokale kriminale në Amerikën Latine.
Autoritetet thonë se fitimet nga trafiku i drogës janë pastruar përmes kompanive fantazmë, blerjes së pronave dhe automjeteve luksoze, si dhe përmes skemave të ndërlikuara financiare për fshehjen e burimit të parave.
Sekuestrime dhe hetime në vijim
Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar pasuri dhe janë bllokuar llogari bankare me vlerë rreth 1.5 milionë dollarë. Disa nga të dyshuarit ndodhen në paraburgim, ndërsa të tjerë janë nën masa sigurie.
Prokuroria thekson se hetimet po fokusohen në lidhjet mes rrjeteve kriminale në Amerikën Latine dhe Europë, si dhe në përdorimin e kompanive fasadë për pastrimin e parave.
Çështja pritet të vazhdojë në gjykatë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë zgjerimin e hetimeve në vende të tjera. Versus.al

