
Një tjetër humbje e dhimbshme për komunitetin sportiv korçar. Albano Vaso, ish-lojtar i ekipit të Skënderbeut dhe djali i legjendës së futbollit korçar, Teodor Vaso, është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare.
Ai ndërroi jetë natën mes të premtes dhe të shtunës, duke lënë pas dhimbje të thellë në familje, miq dhe bashkëqytetarë.
Lajmi ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku njerëz të sportit dhe jo vetëm kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen e parakohshme nga jeta të një sportisti shembullor dhe një qytetari të respektuar si Albano Vaso.
Albano ndërroi jetë një vit pasi babai i tij Teodor Vaso, u shua në mars të vitit 2024.
Teodor Vaso mbetet një figurë e paharruar e futbollit shqiptar, i cilësuar për vite me radhë si një nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares.
Ai do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e lojës, veçanërisht për momentin heroik në vitin 1967, kur në një përballje kundër Republikës Federale Gjermane luajti për 30 minuta me një këmbë të dëmtuar rëndë, duke treguar guxim dhe përkushtim të rrallë.
Sot, qytetarët dhe miqtë e shumtë të familjes Vaso në Korçë janë të pikëlluar për ndarjen e parakohshme nga jeta të Albanos, të cilin e përshkruajnë si një njeri të veçantë, me vlera të larta njerëzore dhe qytetare. /Versus.al







