AKTUALITET /

Vëllai i 25-vjeçarit të vrarë në Itali paralajmëron për mashtrime online: Mos dërgoni para askund

Vëllai i Kevin Muharremit, 25-vjeçarit të vrarë në Itali, paralajmëron qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve online dhe sqaroi se familja nuk ka hapur llogari për mbledhje fondesh. Autoritetet italiane po hetojnë ngjarjen e rëndë ku Kevin u qëllua tre herë nga bashkatdhetari i tij, Renato Xyke, duke analizuar pamjet dhe dëshmitë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e vrasjes.

Shkruar nga Versus

Vëllai i 25-vjeçarit të vrarë në Itali

Vëllai i Kevin Muharremi, 25-vjeçarit që u vra më 14 shkurt në Itali, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, duke paralajmëruar bashkëatdhetarët që të mos bien pre e mashtrimeve që po qarkullojnë në emër të familjes së tyre.

Elvis Muharremi, vëllai i Kevin, ka sqaruar se familja nuk ka hapur asnjë llogari në GoFundMe apo ndonjë platformë tjetër për mbledhje fondesh, dhe çdo iniciativë e tillë është mashtrim. Ai u bën thirrje qytetarëve të respektojnë dhimbjen e familjes dhe të mos dërgojnë para:

"Jam Elvis Muharremi, vëllai i Kevin Muharremit që është vrarë më 14 shkurt 2026. Ne nuk kemi hapur asnjë llogari apo GoFundMe që të na ndihmoni. Ju lutem shumë, mos hidhni lek askund. Na lini të qetë në dhimbjen tonë," shkruan ai.

Vëllai i 25-vjeçarit të vrarë në Itali
Faqja mashtruese GoFound e hapur me qëllim përfitimi

Ngjarja e rëndë ka ndodhur tre ditë më parë në Itali, ku sipas mediave lokale, Kevin Muharremi u qëllua tre herë teksa ndodhej në sediljen e pasagjerit të një automjeti. I dyshuari për vrasjen është bashkatdhetari i tij, Renato Xyke, 20 vjeç, i cili është arrestuar nga autoritetet italiane. Hetimet paraprake tregojnë se konflikti mes dy të rinjve ka nisur për shkak të një dëmtimi të lehtë në një automjet dhe është përshkallëzuar më pas me përdorimin e armës së zjarrit.

Sipas raportimeve, i dyshuari ka qëlluar disa herë drejt makinës nga një Range Rover Evoque gri e errët, ka lënë armën në zonën e Montecalvolit dhe më pas është nisur drejt Romës së bashku me familjen e tij. Autoritetet italiane po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, telefonat celularë dhe dëshmitë për të zbardhur plotësisht motivin dhe dinamikën e ngjarjes, duke hetuar nëse takimi në Montecalvoli ishte rastësor apo i organizuar./Versus.al

Poll