Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Igli Tafën si drejtuesin e ri të AKSHI-t pasi Mirlinda Karçanaj ndodhet nën arrest shtëpie teksa hetohet nga SPAK si pjesë e grupit kriminal së bashku me biznesmenët në kërkim Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. *Duke e konsideruar goditjen e këtij institucioni të padrejtë, Rama tha se AKSHI ka bërë shumë për revolucionin digjital, ndërsa shprehu bindjen se në fund e drejta do të dilte në dritë. Pavarësisht se dyshohet për miliona euro të përvetësuara padrejtësisht nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, Rama pati lëvdata për punën e Karçanajt si drejtuese. *Ai u kërkoi punonjësve që të mos demoralizoheshin ndërsa u premtoi se së shpejti do të kenë pagat më të larta në vend, duke e konsideruar AKSHI-n si institucionin më të vyer.
“AKSHI do ketë pagat më të larta në vend”, Rama: Më dhemb që goditet padrejtësisht

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e drejtuesit të ri për AKSHI-n tha se ky institucion do të ketë pagat më të larta në vend me qëllim që punonjësit të mos tërhiqen nga kompanitë private.
Duke i konsideruar si asete të çmuara, Rama u tha punonjësve se AKSHI është një nga ato institucione ku të gjithë ata që merren me teknologjinë e kanë ëndërr të punojnë. Më tej shtoi se i dhemb kjo “padrejtësi” që po i bëhet si pasojë e hetimeve të SPAK nën dyshimin për grup kriminal që merrte miliona euro tendera dhe drejtohej nga Ergys Agasi.
“Unë jam i bindur që këtu ka njerëz që sot mund ta lënë punën dhe mund të shkojnë ta marrin një punë në sektorin privat dhe të marrë pagat më të larta. Por ne do ta bëjmë AKSHI-n institucionin me pagat më të larta në Shqipëri dhe të mos ketë asnjë ndërmarrje private kapacitet ta konkurrojë. Ky është qëllimi dhe këtë do bëjmë, sepse AKSHI është stacion ku çdokush që merret me teknologjinë e lartë duhet të ëndërrojë të vijë të punojë. Kjo vështirësi që po kaloni ju, duhet të jeni të sigurt që unë jam me ju në këtë vështirësi sepse më dhemb po kaq shumë sa ju çdo goditje e padrejtë që i bëhet këtij institucioni dhe këtij emri për shkak të një çështje që ka rrugën e vetë”- u shpreh Rama.
Sa i takon Igli Tafës, Rama tha se e kupton më së miri punën dhe se kishte ardhur të ndihmonte në momentin kur vendi ishte nën sulm kibernetik.
“Për Iglin nuk dua të zgjatem, e dini se kush është. Një tjetër rekrut i Shqipërisë digjitale i cili ka lënë punë të tjera dhe ka ardhur të shërbejë në një moment shumë dramatik kur u sulmuam nga terrori kibernetik”- shtoi ai. Versus.al
Grupi kriminal dhe Agasi në skandalin e AKSHI-t, Rama-punonjësve: Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë

Ndërkohë që SPAK po heton ish-drejtuesen e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj nën dyshimin se së bashku me biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri vepronin si grup kriminal që përfitonte milliona euro tendera, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë institucion si tepër të çmuar.
Sipas tij, këto janë sfida me të cilat duhet të përballen punonjësit e AKSHI-t, të cilëve u kërkoi që të mos ligështoheshin dhe të vijonin punën për revolucionin digjital të vendit. Më tej shtoi se pavarësisht sa e vështirë duket situata, dielli do të lindë sërish.
“Nuk duhet të dorëzoheni, nuk duhet të ligështoheni, duhet të jeni solidarë. Duhet të kuptoni se në fund të ditës çfarë nuk të vret, vetëm të forcon. Kjo është jeta, ka sfida që I zgjedhim vetë,. duam të bëjmë IA-në forcë të re të këtij vendi. Por ndërkohë që duam të bëjmë këtë ka sfidë që na zgjedh ne, është sfida që të përballemi me një çështje të drejtësisë që prek AKSH-in, prek reputacionin e AKSHI-t, krijon mjegull. Dhe në mjegull ju e dini se çfarë lloj dhelprash, minj, e dy këmbëshash me katër këmbë ka Shqipëria. Por e nesërmja është sërish e jona dhe dielli do lindë përsëri”- deklaroi Rama. Versus.al
Skandali i AKSHI-t, Rama: Në një botë të drejtë do kishte prezumim pafajësie, por jo këtu

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Igli Tafën si drejtues të ri të AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), ndërsa u përqendrua në pjesën më të madhe të fjalës së tij në hetimet që SPAK po kryen për grupin kriminal që kishte mbërthyer këtë institucion ku deri dje ishte drejtuese Mirlinda Karçanaj, e cila sot është nën ‘arrest shtëpie’.
Rama tha se në një botë të drejtë do të duhej të kishte prezumim të pafajësisë, por shtoi se në Shqipëri është e kundërta.
“Në këtë revolucion jetojmë në një fazë kur nuk është prezumimi i pafajësisë ai që udhëheq veprimtarinë e atyre që duhet ta transformojnë këtë sistem në një sistem të drejtë e demokratik të drejtësisë, por prezumimi i fajësisë. Dhe ky është element dramatic i këtij procesi. Pra nëse mbi AKSHI-n ka një hetim, në një botë të drejtë të gjithë duhet të prezumohen të pafajshëm, ndërsa këtu prezumohen të fajshëm. Disa prej jush këtu janë UFO, jetojnë me ekranin e kompjuterit dhe harrojnë të hanë disa ditë. Dhe kur përballen me këtë brutalitet ndihen të çorientuar në proceset e tyre të punës. Por dua t’ju them një gjë, në fund e drejta del. Ka një kosto patjetër, por del”- u shpreh Rama.
Duke e cilësuar punën e AKSHI-t si shumë të vyer, Rama tha se do të ketë rritje pagash për këtë ekip të revolucionit digjital.
“Për ne është shumë e rëndësishme që ky institucion të vazhdojë punën, të jetë ai fari që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve dhe tregon se ku është porti. Përsa i përket revolucionit digjital, dua t’ju inkurajoj për këtë gjë. E di se nuk është ky thelbi, por kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion për t’ju thënë se ne ju kemi shumë të çmuar, shuëm të shtrenjtë. Nuk duam që ju ta braktisni shërbimin publik, nuk duam ta vendosni talentin tuaj në shërbim të sektorit privat, por duam të besoni se kjo është shtëpia juaj, u lehtësoni punën kaq shumë njerëzve, bëni që kaq shumë njerëz të shërbehen me një shpejtësi që askush nuk do e kishte imagjinuar disa vite më parë”- shtoi kryeministri. Versus.al

