
Banorët e Porto Romanos, në Durrës, në mënyrë periodike shfaqin shqetësimet e tyre të mëdha mbi ndotjen dhe rreziqet që u vijnë nga aktiviteti tregtar i kompanisë së prodhimit të bombolave të gazit, “Alba Cosmetic International”, në pronësi të sipërmarrësit Adi Mehmeti.
Megjithatë, sa më shumë qytetarët ngrihen në protesta për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, aq më shumë strukturat shtetërore bëhen të shurdhëra, duke injoruar zërin e qindrave banorëve që janë të detyruar të jetojnë çdo ditë të tyre nën rrezikun e shpërthimeve dhe pasojave mbi organizmin nga çlirimi pa kriter i gazeve.
“Alba Cosmetic Internationa”, deri më tani, ka rezultuar e paprekshme nga Policia, strukturat lokale apo edhe radha e gjatë e inspektorateve që funksionojnë në vendin tonë.
Kjo “heshtje totale” institucionale duket se e ka origjinën tek faktin që kompania e Adi Mehmetit shërben si një “vend i shenjtë” për kandidatët për deputetë socialë në prag në fushatave elektorale.
Në vitin 2021, ish-ministrja e Financave Anila Denaj, njëkohësisht edhe kandidate për deputete nga Partia Socialiste në qarkun e Durrësit, postoi një rrjete sociale foto nga një vizitë në ambjentet e “Alba Cosmetic International” në Porto Romano.
“Në kompaninë Alba Cosmetic International, që operon në sektorin e gazit të lëvizshëm, prej 7 vitesh. E regjistruar si markë në 2014, me një gamë të gjerë produktesh, me potencialin për të përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, kompania ka plane ambicioz”, shkruante Denaj në profilin e saj në rrjete sociale.
Në të njëjtat gjurmë, katër vite më vonë, eci një tjetër kandidate për deputete e Partisë Socialiste.
Në 7 Prill 2025, Etleva Budini, e cila kandidonte për herë të parë për një pozicion si ligjvënëse, thotë se kishte zhvilluar një vizitë në ambjentet e “Alba Cosmetic International” të Adi Mehmetit.
“Një vizitë në fabrikën Alba Cosmetic International Gaspower në Porto Romano, Durrës, një fabrikë moderne për produktet e gazit dhe aerosolit”, shkruante Budini në atë postim.
Pas kësaj vizite, duket se gjithçka i shkoi mbarë kandidates, e cila, për herë të parë mori mandatin e deputetit. Ligjvënësja më e re është bashkëshortja e një zyrtari të rëndësishëm policie, Boge Budini, ish-Drejtori i Portit në vitet 2013-2017, i shkarkuar pas zbulimit të një kamioni me disa ton kanabis dhe i rikthyer më vonë sërish në Policinë e Shtetit.
“Ndotësi 1 euro” i Adi Mehmetit
Kompania e krijuar në vitin 2014 nga Adi Mehmeti, vetëm 21 vjeçar në kohën e regjistrimit, në fakt kishte vetëm pak muaj që ishte përfshirë në sektorin e gazit të lëngzhëm, kur u vizitua nga ministrja Denaj, në vitin 2021.
E krijuar si një kompani për prodhim produktesh kozmetike, “Alba Cosmetic” vetëm në janar të vitit 2021 e kishte zgjeruar disi aktivitetin e saj në prodhimin e bombulave të vogla të gazit.
Por, në periudhën që pasoi vizitën propagandistike të Anila Denajt, shoqëria e Adi Mehmetit mori një zgjerim shumë të madh, duke u përfshirë në tregun e gjerë të hidrokarbureve.
Krahas zgjerimit të aktivitetit tregtar, “Alba Cosmetic International” shtoi ndjeshëm edhe ndotjen në mjedisin përreth. Në të paktën dy raste, banorët e Porto Romanos kanë dalë në protestë kundër mbetjeve të rrezikshme, të lëshuara në ajër dhe në tokat përreth nga kompania e Adi Mehmetit.
Megjithatë, pavarësisht shqetësimit gjithnjë e në rritje të qytetarëve, kompania vijon aktivitetin e pashqetësuar nga autoritetet shtetërore.
Historia e “Alba Cosmetic International” ka disa dritë-hije të çuditshme, që nisin nga përfshirja e një 21-vjeçari në mënyrë të menjëhershme në një biznes të madh, një kontratë “1 euro” me qeverinë e Edi Ramës në vitin 2018 për qiranë e mijëra metrave katrorë në Porto Romano, e deri tek një kombinim i çuditshëm me një tjetër shoqëri, “Gazpoëer AL”, e cila rezulton si subjekt më vete, por që ushtron aktivitetin në të njëjtin vend dhe personat përgjegjës janë të njëjtët në të dyja kompanitë.
“Parfumet” e 21-vjeçarit Mehmeti
Në tetor të vitit 2014, Adi Mehmeti, i lindur në Delvinë në vitin 1993 dhe banues në Tiranë, vendos të themelojë një kompani në Porto Romano të Durrësit, me fokus prodhimin e parfumeve dhe materialeve të tjera për estetikën.
Bilancet tregtare të dorëzuara nga kompania në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) përbëjnë një rast tipik “studimor” për tregun shqiptar. Në vitin e parë, “Alba Cosmetics International” raporton një fitim rreth 1 mijë euro. Në vitin 2016, fitoi 10-fishohet, në 100 mijë euro. Një vit më pas, në 2016, sërish ka një 10-fishim tjetër, duke arritur fitimin 1 milionë euro.
Në vitin 2017, Adi Mehmeti, tashmë 23-vjeçar, siguron një kontratë me çmim simbolik “1 euro” me qeverinë e Edi Ramës, për të marrë në përdorim disa ambiente pranë ish-Ndërmarrjes Kimike të Porto Romanos.
Në kontratën e konsultuar nga “Boldneës.al”, të miratuar nga Këshilli i Ministrave në 15 nëntor 2017, subjekti privat merrte me qira një ndërtesë 2-katëshe, me sipërfaqe 600 m2, si edhe sipërfaqe funksionale 1650 m2.
Në janar të vitit 2021, “Alba Cosmetic International” modifikon objektin e veprimtarisë, duke shtuar, krahas materialeve kozmetike, edhe mbushjen e bombolave të vogla të gazit.
Ndotja dhe rrezikimi i shkollës
Në Tetor të vitit 2022, dhjetra prindër të fëmijëve që studionin në shkollën 9-vjeçare “Met Hasa” në Porto Romano, kërkuan nga drejtoria e institucionit arsimor pezullimin e mësimit, për shkak të rrjedhjes së gazit.
“Ne kërkuam që të pezullohet mësimi derisa t’i jepet një zgjidhje kësaj, për të vetmen arsye se këtu është një bombë atomike e mirëfilltë. Imagjino, një bombël në shtëpi me 16 kg të shkatërron shtëpinë po shpërtheu. Llogarite sa shkon me 15.000 tonë”, citohet një banor i zonës për median në atë kohë.
“Është bërë me mashtrim. Këtu fillimisht u vendos një fabrikë lëkure, që e largoi komuniteti. Pastaj e modifikuan siç e kanë zakon këta dhe thanë që do të bënin parfumeri. Pastaj në këtë maskë kanë filluar të bënin montimin e bombulave që të furnizojnë Turqinë”, shprehet një banor.

Sipas banorëve, kompania përgjegjëse është “Alb Cosmetic International” dhe kjo konfirmohet edhe nga fakti që shoqëria e Adi Mehmetit e nisi aktivitetin me prodhimin e produkteve kozmetike.
Por, dokumentat zyrtare tregojnë se përgjegjëse për incidentin është konsideruar “Gazpoëer AL”.
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), në një reagim për ngjarjen e Tetorit të vitit 2022, thotë se “…është konstatuar rrjedhje GLN-je nga valvula e sigurimit të cisternës së GLN-s të automjetit me targë DR4093C e parkuar në territorin e subjektit Gaspower Al sha.”.
Kompania “Gazpower AL” nuk rezulton të ketë pasur asnjëherë në objektin e aktivitetit të saj prodhimin e produkteve kozmetike. Kjo situatë ngriti dyshimet se “Gazpower AL” mund të përdorej si maskim për shkeljet e “Alba Cosmetic”. Të paktën, këtë dyshohin banorët e zonës, të cilët ishin ndjerë të rrezikuar nga të paktën 4 shpërthime gjatë viteve 2021-222./Boldnews

