
Pas dëshmisë tronditëse të 46 vjeçarit Altin Meçaj, i cili u dhunua brutalisht nga disa persona në fshatin Vjosë të Cakranit në Fier, ka folur edhe babai i tij që ra viktimë e agresorëve.
76-vjeçari Ylli Meçaj ka rrëfyer momentet dramatike nga spitali, ku ka marr dëmtime të rënda nga goditjet.
“Kur dola djali ishte i shtrirë dhe i gjakosur, dhe po e shtypnin. Bërtita dhe u shtriva sipër djalit për ta mbrojtur, ndërkohë njëri nga agresorët më qëlloi mua me tubo hekuri në kokë, më çau këtu komplet, ja shikojeni këtu jam qepur.
U gjakosa por nuk u rrëzova në tokë, bërtita për ndihmë, por aty nuk kemi njerëz, i kemi një cik larg, jemi shtëpi e vetëm.
Më në fund erdhën dy komshinjtë, e kapëm djalin dhe e tërhoqëm, gjaku po ikte lumë. Ne nuk kemi probleme me njeri, për djalin tim kanë respekt të madh në fshat, jo se është djali im por të vesh dhe të pyesësh në fshat," tha 76-vjeçari .
Sulmi dyshohet se ndodhi pas një “like” dhe komenti të Altinit në Facebook ndaj motrës së Fredi Lamaj, një efektivi të policisë së Fierit./Versus.al

