
Në çdo vend normal, dita e djeshme kur qytetet e vendit u përfshinë nga reshje të dendura shiu, do të duhej të ishte një ditë e zakonshme.
Por kjo gjë nuk ka ndodhur në Durrës, ku një 44 vjeçar i identifikuar si Fatbardh Kaloshi humbi jetën në përpjekje për të kaluar rrugën e përmbytur si pasojë e mungesës së pastrimit të kanalizimeve, një problem tashmë i përhershëm për këtë bashki.
Kaloshi i cili ishte baba i tre fëmijëve, ra në kontakt me rrymën elektrike dhe vdiq në vend rreth orës 06:20 teksa po përpiqej të shkonte në punë. Në media janë publikuar pamjet e momentit tragjik që tregon pasigurinë ku jetojnë banorët e Durrësit.
Viktima duke u përpjekur të shmangte një pjesë të përmbytur të rrugës, u mbajt tek shtylla e me kabuj të zhveshur të energjisë elektrike të cilët ishin nën ujë. Pra përveçse së kanalizimeve gjë që shkakton gjithmonë përmbytje të rrugëve dhe banesave në Durrës, nëpër qytet ka kabuj të zhveshur të energjisë elektrike që në çdo moment mund të bëhen shkak për tragjedi të tjera.
Banorët pretendojnë se prej javësh kishin njoftuar OSHEE-në për shtyllën elektrike me telat e korentit jashtë që rrezikonin kalimtarët, por asnjë masë nuk u mor nga institucioni i drejtuar nga Enea Karakaçin. Në heshtje është kaluar kjo tragjedi edhe nga kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako e cila në ditë të tilla kur duhej të ishte në krye të detyrës së pakryer që duhej ta kishte bërë prej kohësh, shfaqet në asamblenë e PS ku Rama njoftoi përbërjen e kabinetit të ri qeverisës. Për të e djeshmja konsiderohet një ditë e zakonshme, por jo për familjarët e 44 vjeçarit Fatbardh Kaloshi të cilët janë të zhytur në dhimbje për humbjen e kryefamiljarit të tyre. Versus.al







