AKTUALITET /

Vjedhja mbi 700 mijë € në Postën e Durrësit, zbardhet dëshmia e arkëtares: Drejtoresha urdhëroi transportin e parave pa eskortë sigurie!

Zbardhet dëshmia e arkëtares Paola Dana, e cila pretendon se transporti i parave drejt filialeve të Shijakut dhe Krujës kryhej me urdhër gojor të drejtoreshës edhe pa shoqërinë e kompanisë së sigurisë. Ajo rrëfen gjithashtu se pas zbulimit të mungesës së vlerave monetare iu kërkua të firmoste një deklaratë ku thuhej se drejtoresha nuk kishte marrë para nga arka.

Shkruar nga Versus

Vjedhja mbi 700 mijë € në Postën e Durrësit, zbardhet

Arkëtarja e Postës, Paola Dana, ka deklaruar gjatë dëshmisë së saj se transporti i vlerave monetare drejt filialeve të Shijakut dhe Krujës është kryer në disa raste pa shoqërimin fizik të kompanisë së sigurisë, me urdhër gojor të drejtoreshës Elisabeta Mataj.

“Që nga muaji prill 2026, drejtoresha Elizabeta Mataj në lidhje me shpërndarjet e lekëve në filialet e Shijakut e Krujës, ka dhënë urdhër gojarisht, transporti i lekëve në këto dy filiale të bëhet edhe pa shoqërinë fizike të kompanisë Security Nazeri, në rastet kur kishin tejkaluar oraret e transportit nën shoqërinë e ruajtjes fizike”, ka deklaruar Dana.

Sipas saj, procedura e zakonshme ishte që paratë të tërhiqeshin nga banka, të arkëtoheshin dhe më pas të merreshin nga shefja e financës, Valbona Duni, e cila i dërgonte në zyrën e saj. Dana thekson se nuk ka dijeni se kujt i dorëzoheshin më pas këto vlera, ndërsa mandatet e pagesës i silleshin të firmosura nga personat përgjegjës dhe ajo i bashkëngjiste në dokumentacionin ditor të arkës.

Arkëtarja ka rrëfyer gjithashtu se më 9 korrik 2026, gjatë një kontrolli të kryer nga Posta Qendrore e Tiranës, inventari i arkës rezultoi i rregullt, me përjashtim të një diference prej 25 eurosh, të cilën ajo e mbuloi vetë.

“Rreth datës 9 Korrik 2026, ka ardhur kontrolli nga Posta Qendrore e Tiranës përsëri dhe kanë bërë inventarin e arkës, ku çdo gjë ka dalë në rregull, me përjashtim të një diferencë të vogël prej 25 euro, e cila është zëvendësuar nga ana ime, pasi mund të ishte ndonjë gabim njerëzor gjatë punës.

Po atë ditë, nga kontrolli dhe në muhabet kam marrë vesh që filialet e Krujës dhe Shijakut nuk kanë marrë vlerat monetare të caktuara që janë nxjerrë nga ana jonë. Dua të theksoj që atë ditë kam dëgjuar që është bërë debat i madh mes shefes së financës Valbona Duni dhe drejtoreshës Elisabeta Mataj, por saktësisht nuk kam dëgjuar se çfarë kanë thënë, pasi kanë qenë në zyrat e tyre”, ka deklaruar ajo.

Sipas dëshmisë, pasi u informua për mungesën e vlerave monetare në dy filialet, Dana iu drejtua shefes së financës për të kërkuar sqarime.

“Shefes së financës Valbonës i kam shkuar te zyra dhe i kam thënë se ku janë vlerat monetare, pasi me dokumente i kam që i kam nxjerrë nga arka. Ajo më ka thënë që i ka marrë drejtoresha Elisabeta për t'i çuar dhe le ta mbajë ajo përgjegjësinë. Pas kësaj dite nuk e kam takuar më Valbonën.”

Arkëtarja ka deklaruar gjithashtu se më pas është thirrur në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj, ku ndodhej edhe shefi i sigurisë, Minur Kodra. Sipas saj, drejtoresha i kërkoi të hartonte një deklaratë me shkrim dore, ku të pohonte se ajo nuk kishte hyrë në zyrën e arkës për të marrë vlera monetare.

“Ndërsa drejtoresha më ka thirrur në zyrë, më datë 9 ose 10 Korrik, nuk e mbaj mend mirë si datë, ku në zyrën e saj ka qenë edhe shefi i sigurisë së Postës, Minur Kodra, dhe ajo më ka thënë: ‘A kam dalë ndonjëherë unë me thes nga zyra jote? Më ke dhënë gjë ti mua?’ Më pas më ka thënë që të shkruaj me shkrimin tim një deklaratë, në të cilën unë kam shkruar që drejtoresha nuk ka hyrë në zyrën time për të marrë vlera monetare nga arka.

Këtë deklaratë me shkrim dore e ka mbajtur drejtoresha dhe më pas, disa ditë të tjera, më ka thënë që duhet me kompjuter dhe deklarimi ishte i shkruar, ndërsa unë vetëm e kam lexuar dhe e kam firmosur. Gjithashtu edhe Minur Kodra e ka bërë këtë deklaratë me shkrim dore atë ditë te zyra e drejtoreshës, por unë nuk e di se çfarë ka shkruar ai”, ka vijuar Dana në dëshminë e saj./Versus.al

Poll