AKTUALITET /

700 mijë euro pensione e ndihma sociale i çoi në kazino? Ish-drejtoresha e postës në Durrës: S’ma ndalon ligji

"Nuk e di"- u përgjigj Mataj kur u pyet për qindra mijëra euro fonde që dyshohet se janë përvetësuar prej saj.

Shkruar nga Versus

700 mijë euro pensione e ndihma sociale i çoi në kazino?

Sot në gjykatën e Durrësit u mbajt seanca gjyqësore për konfirmimin e masave të sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj dhe dy vartëseve të saj, shefen e Financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtaren Paola Dana.

Të treja akuzohen se kanë përvetësuar fondet në filialin e postës. Shuma e përvetësuar deri më tani është 700 mijë euro të cilat ishin para të destinuara për shpërndarjen e pensioneve e ndihmave sociale.

Në seancë pati fakte të reja nga hetimi, pasi prokurori përmendi edhe frekuentimin e kazinove nga drejtoresha e filialit. Ajo nuk e mohoi se mund të ketë frekuentuar kazinotë duke thënë se nuk ka një ndalim ligjor për të shkuar në ambiente të tilla.

“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të jetë shprehur Mataj para gjykatës.

Ndërsa mohoi se kishte planifikuar të arratisej jashtë vendit, Mataj u përgjigj “nuk e di” kur u pyet se ku kanë shkuar paratë që dyshohet se janë përvetësuar. Versus.al

Poll