
Banjat e Bënjës në Përmet, një nga atraksionet më të njohura natyrore në Shqipëri, po përballen me ulje të prurjeve të ujit termal vetëm pak muaj pas përfundimit të një projekti restaurimi me vlerë rreth 2 milionë euro.
Në kulmin e sezonit turistik, disa prej vaskave nuk po arrijnë të mbajnë nivelin e zakonshëm të ujit, ndërsa problematika është shfaqur edhe në pika të tjera të kompleksit, duke ndikuar në funksionimin normal të llixhave.
Sipas burimeve lokale, përveç luhatjeve sezonale të prurjeve, situata dyshohet se është përkeqësuar pas ndërhyrjeve të kryera gjatë restaurimit. Banorë dhe njohës të zonës pretendojnë se strukturat prej betoni dhe ndryshimet në terrenin natyror mund të kenë ndikuar në rrjedhën e burimeve termale.
Projekti i rikualifikimit është financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe kishte për qëllim përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe rritjen e fluksit të vizitorëve në zonë. Megjithatë, situata aktuale ka ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e ndërhyrjeve dhe ndikimin e tyre në një pasuri natyrore me vlera të veçanta.
Kritika janë shfaqur edhe në rrjetet sociale, ku ndërhyrja është cilësuar nga disa përdorues si problematike për ekosistemin natyror të llixhave, të cilat prej shekujsh kanë funksionuar në mënyrë natyrale.
Një prej tyre, ekspertja e çështjeve mjedisore, Esmeralda Metko, ngre shqetësimin se uji mund të mos vijë më.
"Si juriste që jam dhe studiuese e së drejtës mjedisore mund të them që demi mjedisor në këtë rast është i dukshëm dhe evident( 2 fakte te thjeshta pa i hyre analizës se thellë: 1-uji termal ka ikur nuk po del më; 2-vaska natyrore që u betonizuan duke prishur strukturën netyrore të tyre).
Minimialisht kush mbikëqyr punimet apo kush ka bëre projektin duhet të dalin ne nje deklaratë që të sqarojnë opinionin publik si do e rikuperojnë investimin e hedhur dëm? Po llixhat e Bënjës a do i kthejnë në gjendjen e mëparshme duke ruajtur vlerat e tyre kurative?,s hkruan Metko.
Ndërkohë, mbeten të hapura disa pyetje për institucionet përgjegjëse, përfshirë nëse është kryer një studim hidrogjeologjik para ndërhyrjes dhe nëse është garantuar që punimet nuk kanë ndikuar në burimet termale.
Ndërsa turistët vijojnë të vizitojnë zonën çdo ditë, debati për efektet e projektit mbetet i hapur mes zhvillimit turistik dhe ruajtjes së një prej pasurive natyrore më të rëndësishme të vendit.Versus.al

